Transmetuar më 29-12-2017, 15:30
Publicitet

Tashmë është më në fund zyrtare, ish-futbollisti i cili është kthyer në legjendë, arriti të bëhet President. George Weah është Presidenti i ri i Liberisë.

Ish-futbollisti i cili ka luajtur edhe për ekipin e Milan në Itali, fitoi zgjedhjet pas balotazhit. Weah mori 61.5% të votave, duke mposhtur rivalin e tij Joseph Boakai, zv.President në ikje, i cili mori 38.5% të votave.

Sulmuesi i Paris Saint Germain dhe Milan në vitet ‘90, Weah, do të marrë zyrtarisht detyrën më 22 janar.

Ai është i vetmi afrikan që fitoi topin e artë në vitin 1995. Weah ka qenë gjatë larg vendit të tij, gjatë luftës civile prej së cilës humbën jetën 250 mijë persona, mes viteve 1989 dhe 2003.

Ai i hyri politikës, në fund të konfliktit, por u mposht në zgjedhjet presidenciale të 2005 dhe më pas në vitin 2011, kur kandidoi për zv.President.

Në dhjetor të vitit 2014, fitoi mandatin e tij të parë, duke u bërë senator. Weah zgjodhi si zv.Presidente Jewel Howard-Taylor, një senatore e respektuar, ish-gruaja e ish-komandantit të luftës dhe Presidentit gjatë viteve 1997-2003, Charles Taylor

Gjatë luftës civile siç shkruan noa.al, Weah kërkoi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara që të shpëtohej vendi i tij. Si kundërpërgjigje rebelët, i dogjën shtëpinë në Monrovia dhe i morën peng dy kushërinj.

Pjesë e etnisë kru, një prej etnive kryesore në Liberi, nuk bënte pjesë në elitat por me këmbëngulje arriti të dominojë në politik.  

Weah vijon të ruajë rrënjët e tij në periferi të Monrovia, ku luan ende futboll me miqtë e tij. /a.y/noa.al