Transmetuar më 29-12-2017, 17:32
Publicitet

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka kujtuar edhe një herë të gjithë ata subjekte që kanë detyrime të pashlyera, se 31 dhjetori është dita e fundit e zbatimit të Ligjit të Faljes.

Përmes një njoftimi të shkurtër në faqen zyrtare, Drejtoria e Tatimeve fton të gjitha subjektet që të shfytëzojnë mundësinë e fundit për të përfituar nga falja e gjobave dhe kamatëvonesave, duke paguar më parë  detyrimin tatimor.

Të dhënat e fundit nga drejtoria e përgjithshme e tatimeve tregojnë se deri më tani janë falur 35 miliardë lekë detyrime tatimore, pjesa më e madhe me fshirje automatike të borxheve që bizneset kanë pasur para vitit 2010.

Ndërkohë theksohet se për të zbatuar ligjin, administrata tatimore do të punojë gjatë kësaj periudhe me kohë të plotë.

“Ju kujtojmë se data 30 Dhjetor 2017 është dita e fundit e zbatimit të Ligjit nr. 33/2017 “Për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes /shuarjes së detyrimeve tatimore”, për këtë qëllim adminsitrata tatimore do të punojë me orar të plotë zyrtar në të gjithë territorin. Administrata Tatimore ju fton të shfrytëzoni mundësinë e fundit për të përfituar nga falja e gjobave dhe kamatëvonesave, duke paguar më parë  detyrimin tatimor (principalin e tatimit).” thuhet në njoftim

Në muajin mars qeveria shtyu zbatueshmërinë e ligjit të faljes së borxheve tatimore dhe doganore për biznesin dhe individët deri në fund të këtij viti. Ligji fal gjobat dhe interesat për borxhet e periudhës 2011-2014, por me kushtin që bizneset apo individët të shlyejnë të plotë detyrimin tatimor. (e.c/noa.al)