Transmetuar më 01-01-2018, 09:37

Viti i Ri 2018 mbërriti edhe në Shqipëri. Tirana dhe qytetet e tjera pritën ndërrimin e viteve kur akrepat e orës shënuan 00:00 me fishekzjarret shumëngjyrëshe që shkëlqyen në qiellin e kësaj mbrëmjeje. Një koncert madhështor në sheshin e ri “Skënderbej” ashtu siç është bërë traditë tashmë çdo vit nga Bashkia e Tiranës, mblodhi qytetarët me rastin e mbylljes së 2017.

Me qindra të rinj shijuan tingujt e muzikës në një koncert me këngëtarët më në zë të skenës shqiptare Elhaida Dani, Tiri & Band, Kastro Zizo, Beatrix Ramosaj, Elgit Doda dhe Ronela Hajati etj. Kur akrepat e orës shënuan 00:00 mijëra fishekzjarre shoqëruan ardhjen e Vitit të Ri 2018.

 Trokitja e gotave dhe urimi për mbarësi dhe një vit të bardhë është mesazhi që ka mbizotëruar në tryezat e çdo qytetari, por edhe në urimet e shumta përmes mesazheve telefonike dhe online me njëri-tjetrin, por edhe kartolinave.

E ashtu siç tradita tashmë e kërkon, pas mesnate, për mijëra të rinj vendin e tryezës së tejmbushur në shtëpi e zënë lokalet e baret e kryeqytetit, të cilat qëndrojnë hapur deri në orët e para të mëngjesit.

Ashtu si në çdo festë edhe në këtë të ndërrimit të viteve rrugët e kryeqytetit pasi ora shënoi 00:00, u rënduan nga trafiku, megjithatë Policia Rrugore ka qëndruar në gatishmëri për të rregulluar qarkullimin. Në gatishmëri ka qenë dhe ambulancat, po ashtu edhe zjarrfikësit.

Ja pamjet: