Transmetuar më 03-01-2018, 13:02
Publicitet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot që të kthejë mbas kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, ku kërkohej ndërprerja e mandatit të deputetit të LSI, Gledion Rehovica, si i ndaluar në Itali.

KQZ deklaroi se data 5 janar është afati i fundit, kur do të pritet përgjigja nga organi i akuzës.

Ky vendim erdhi pasi anëtari i LSI në KQZ, Gëzim Veleshnja, deklaroi gjatë mbledhjes se vendimi i Prokurorisë ka shumë probleme ndaj kërkoi që materiali që bën fjalë për deputetin Rehovica ti kthehet Prokurorisë.

Ai shtoi se Prokuroria duhet të sqarojë çfarë kuptohet me termin “raportim policor” dhe a ka në shtetin italian një procedim të filluar, të dërguar në gjyq, apo pushuar që të ketë për bazë raportimin policor të vitit 1999.

“Vendimi i akuzës ka një logjikë jo të saktë, që degradon sa shkon e më shumë. Kërkoj të na sqarojë përfaqësuesi i akuzës për atë që thuhet se të dhënat e përcjella nga autoitetet e drejtësisë italiane, është e nevojshme të di unë kush janë autoritetet dhe çfarë informacionesh kanë sjellë? Kërkoj të na tregojë cila është baza ligjore e cila e ka orientuar atë në vendimin e arritur për ndërprerjen e mandatit të deputetit”, u shpreh ai.

I pyetur se pse ishte në Itali në 27 shkurt të vitit 199, deputeti Rehovica tha se ka qenë student për shkenca politike në Romë.

“Po bëhen gati 20 vjet dhe nuk e kujtoj me detaje. Nuk kam pasur në asnjë moment ndalim, hetim, gjykim apo cfarëdolloj mase tjetër në Itali”, u shpreh Rehovica.

Më tej i pyetur nëse ka dijeni për identitetin Kusta Mina, avokati i deputetit të LSI, Ardian Visha, tha se “Nuk ka fshehur asgjë, nuk ka pasur pse të fshehë asgjë. Fakti i dhënies me vullnet i gjurmëve të gishtërinjve eshte tregues. Këto fakte pengojnë cdo arsyetim që mund të fshinte identitete të rreme”.

Deputeti i LSI-së, Gledion Rehovica sipas Interpol Romës, është proceduar për vjedhje dyqani me emrin Kusta Mina në 27.02.1999, kohë kur vetë deputeti ka deklaruar se jetonte në Itali si student. /a.y/noa.al