Transmetuar më 03-02-2018, 15:05

Paraditja mbetet me vranësira të dendura por reshje të pakta në Veri dhe Qendër por gjatë mesditës vranësirat largohen gradualisht nga territori.

Pjesa e dytë e ditës karakterizohet nga kthjellime dhe vranësira të shpeshta në të gjithë territorin shqiptar; kushte që mbeten dominante edhe gjatë natës.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit do të ulen me 4°C gjatë mëngjesit por një rënie më të moderuar do të shënojnë temperaturat e mesditës.

Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, me shpejtësi deri 30 km/h nga drejtimi Veriperëndimor duke gjeneruar në det dallgëzim 3- 4 ballë.

Europa

Pjesa më e madhe e Europës dominohet nga kthjellime dhe vranësira të shpeshta. Më të theksuara kthjellimet paraqiten në ishujt Britanikë dhe Veriperëndim të kontinentit por vranësirat janë dominante në Qendër dhe Lindje të Europës.

Ndërsa vranësira dhe reshje të pakta shiu e dëbore dominojnë motin në Europën Jugperëndimore dhe Juglindore./b.l/noa.al/