Transmetuar më 08-02-2018, 15:29

Revista prestigjioze amerikane "Forbes", konsideroi përpjekjet diplomatike të bëra nga ana e Shtetit të Katarit për të kufizuar pasojat e bllokadës ekonomike dhe politike të imponuara ndaj tij nga disa vende ish-aleate, se ato kanë filluar të japin frytet e tyre, duke marrë parasysh ndryshimin e pozicionit të SHBA-së pasi është shfaqur në mbështetje të Dohas dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve të arrijnë një zgjidhje.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti kanë vendosur një bllokadë nga ajri dhe toka ndaj Katarit që më 5 Qershor 2017. Kjo katërshe vendesh ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin dhe i kërkuan shtetasve katarianë të lënë territorin e tyre brenda 14 ditësh, duke akuzuar Katarin për financim të terrorizmit, akuza të cilat Doha i mohon tërësisht dhe veprimet e ndërmarra nga vendet e bllokadës i konsideron si akte që cënojnë sovranitetin dhe pavarësinë e saj.

Në këtë kontekst, "Forbes" vlerëson se Katari jo vetëm që u pozicionua për të hedhur poshtë akuzat, por nxitoi të forcojë marrëdhëniet e tij me vendet e tjera të rajonit si Irani, Omani dhe Turqia, por edhe jashtë rajonit e sidomos me Shtetet e Bashkuara.

Revista amerikane tha se këto përpjekje kanë sjellë frytet e tyre dhe kjo gjë u pa qartë gjatë "Dialogut Strategjik SHBA-Katar", që u mbajt rreth një javë më parë në Uashington, ku zyrtarët e lartë të administratës amerikane vlerësuan marrëdhëniet solide midis dy vendeve.

Revista citoi vlerësimet e Sekretarit të Departamentit Rex Tillerson që në hapje të konferencës së dialogut, në lidhje me thellësinë e marrëdhënieve dypalëshe me dy vendeve: "Katari është partner i fuqishëm dhe mik i Shteteve të Bashkuara prej kohësh. Ne vlerësojmë marrëdhëniet bilaterale dhe shpresojmë të thellojmë raportet tona strategjike gjatë bisedimeve sot", tha ai.

Gjatë konferencës së dialogut strategjik, Doha dhe Uashingtoni njoftuan nënshkrimin e tre dokumenteve që kanë për qëllim forcimin e marrëdhënieve strategjike midis dy vendeve në të gjitha fushat vitale dhe vazhdimin e përpjekjeve të përbashkëta në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Gjirit.

Sipas "Forbes", Sekretari amerikan i Mbrojtjes James Mattis, gjatë takimit me homologun e tij katarian Khalid bin Mohammed Al-Attiyah, e përshkroi këtë të fundit "mik", dhe iu referua bashkëpunimit të gjatë ushtarak mes dy vendeve. Katari ka ofruar të zgjerojë bazën e Qendrës Rajonale të Forcave Ajrore të SHBA-së në "Udeid", e cila strehon 11,000 trupa amerikane. Ky partneritet përforcohet edhe më tej nga sistemet amerikane të mbrojtjes që ka Katari.

Në anën tjetër, "Forbes" tha se sukseset diplomatike të Katarit nuk janë të lidhura vetëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me shumë aktorë të tjerë ndërkombëtarë sidomos fuqitë e mëdha evropiane, të cilat kanë patur që në fillim prirjen për të mbështetur përpjekjet e Kuvajtit për zgjidhjen e krizës. Revista tha se edhe pse këto përpjekje nuk kanë arritur ende një rezultat përfundimtar, të paktën ato kanë eleminuar pozicionimin e njëashëm (të këtyre fuqive) me njërën palë në kurriz të tjetrës.

Krahas kësaj, "Forbes" vuri në dukje se reagimi i vendeve të bllokadës (Arabi Saudite, Emirate, Bahrejn dhe Egjipt) përfaqëson vendosmërinë e tyre për të mos zgjidhur krizën që ajo të vazhdojë pa ndonjë limit, duke theksuar se katërshja e bllokadës tregon kujdes të mos lëshojë kritika kundrejt ndërmjetësimit të Kuvajtit apo Shteteve të Bashkuara në njërën anë, e në tjetrën injoron dhe hedh poshtë çdo deklaratë politike të bërë nga Doha.

Ndryshimi i pozicionit të Presidentit Trump

Në lidhje me pozicionin e presidentit Donald Trump rreth krizës së Gjirit, artikulli i "Forbes" vëren një ndryshim së fundmi, duke thënë se ky ndryshim ishte një nga faktorët e rëndësishëm për Katarin në kuadër të përpjekjeve për të mobilizuar mbështetjen ndërkombëtare ndaj tij. Në këtë drejtim, "Forbes" thekson se presidenti amerikan, fillimisht, dukej se mbështeste masat e ndërmarra kundër Katarit pas vizitës së tij në Riad. Qershorin e kaluar ai shkroi në Twiter: "Gjatë vizitës sime të fundit në Lindjen e Mesme, njoftova se nuk mund të vazhdojë financimi i  mendimit ekstremist. Liderët (rajonalë) e drejtuan gishtin nga Katari…".

"Forbes", vuri në dukje se ka një ndryshim pozicioni kohët e fundit dhe se Uashingtoni po përshëndet në vijimësi rolin e Katarit në luftën kundër terrorizmit, duke përmendur edhe bisedën telefonike të presidentit Trump me Emirin e Katarit Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani në mesin e Janarit të kaluar. Trump vlerësoi rolin që luan Katari në luftën kundër terrorizmit, si dhe zhvillimet në ngjarjet ndërkombëtare dhe në Lindjen e Mesme. Shtëpia e Bardhë tha se Trump-i  falënderoi Emirin e Katarit për marrjen e "masave për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin në të gjitha format e tij, përfshirë faktin që Katari është ndër të paktat vende që kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi me SHBA-në në këtë fushë".

Por Forbes vlerësoi më shumë rolin diplomatik të Sekretarit Amerikan të Departamentit në zgjidhjen e krizës, duke shtuar se deklaratat e fundit nga Uashingtoni tregojnë se administrata amerikane dëshiron një "rrugëdalje" të krizës në të ardhmen e afërt, pavarësisht kërkesave që kanë shtruar Riadi dhe Abu Dhabi në drejtim të Dohas.

Artikulli aludoi se deklarata e Tillerson të martën e kaluar ishte e adresuar katërshes së bllokadës: "Pas tetë muajve krizë në rajonin e Gjirit, Shtetet e Bashkuara mbeten njësoj të shqetësuara si në fillim. Kriza ka pasoja të drejtpërdrejta ekonomike dhe ushtarake për të gjithë ata që janë përfshirë, madje edhe për vetë SHBA-në. Ne jemi të shqetësuar në lidhje me retorikën dhe propagandën e përdorur në rajon, e cila shfaqet çdo ditë në mediat dhe rrjetet sociale atje. Është e rëndësishme që të gjitha palët ta frenojnë këtë retorikë dhe të tregojnë vetëpërmbajtje për të shmangur përshkallëzimin dhe të punojnë drejt gjetjes së një zgjidhjeje" citohet Tillerson.