Transmetuar më 14-02-2018, 11:41
Publicitet

Deputeti i Bundestagut gjerman, raportuesi për Shqipërinë në KE, Thorsten Frei ka folur pa doreza gjatë një konference për mediat, lidhur me debatin e madh për reformë në drejtësi në vendin tonë, dhe arrestimin e atyre që janë quajtur “peshqit e mëdhenj”.

Duke folur për pesë kushtet për çeljen e negociatave të vendit tonë nga BE-ja, ai ka deklaruar se reforma në drejtësi duhet të avancojë, po ashtu edhe ajo zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR.

“Shqipëria duhet të vijojë në rrugën e integrimit që është në interes të Shqipërisë dhe vetë Bashkimit Evropian. Ndër kushtet për hapjen e negociatave është edhe dekriminalizimi e reforma zgjedhore. Pika më e rëndësishme është reforma në drejtësi e vettingu. Komisioni i apelit nuk ka mjediset e duhura të zyrës për të zhvilluar punën.

Janë hartuar akte të rëndësishme, por seancat e dëgjimeve që shërbejnë për të marrë vendime për vettingun do të fillojnë në mars. Është vendimtare se si mund të matet progresi konkret. E rëndësishme mbetet të bisedohet me të gjitha palët dhe të shihen të gjitha faktet”, u shpreh Frei.

Më tej deputeti i Bundestagut gjerman duke iu referuar deklaratave për kapjen e peshqve të mëdhenj, tha se priste që parlamenti t'i hiqte pa debate imunitetin ish- ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe të vendoste gjykata për të.

“Për peshqit e mëdhenj mbetet për të parë nëse ka vërtetë goditje reale ndaj krimit të organizuar në përmasa të mëdha, të konsiderueshëm, kjo nuk është në mënyrë të mjaftueshme. Kam ndjekur rastin e Tahirit dhe deri në ç’masë dhe si është trajtuar ky rast në politikë, është një problem i madh që nuk është arritur që në parlament kjo duhet të kishte ndodhur për të hequr imunitetin pa diskutime të mëdha, nuk ka arsye pse të mbrohen persona të caktuar nga pikëpamja politike, para ligjit janë të gjithë të barabartë”, tha ai.

Sipas tij, ky rast është i rëndësishëm kur bëhet fjalë që të tregosh se “cilat janë zhvillimet dhe arritjet konkrete në këtë rast dhe a është vërtetë Shqipëria në gjendje që të mos ndalet para emrave të tillë të politikës por të vazhdojë përpara në këtë rrugë”./b.l/noa.al/