Transmetuar më 15-02-2018, 15:38

Futbolli në Shqipëri merr një goditje të fortë. UEFA ka përjashtuar Skënderbeun për 10 vite nga kompeticionet europiane.

Përveç përjashtimit nga kompeticionet europiane, Skënderbeut i shtohet edhe një gjobë e majme, prej plot 1.000.000 eurosh. 

Në shkresën që mban datën 7 shkurt, gjithashtu thuhet se Inspektorët e Disiplinës dhe të Etikës mund të shtojnë prova apo informacione shtesë në lidhje me këtë çështje.

Përjashtimi ka ardhur pas dyshimeve për trukim. Skënderbeu është ekipi shqiptar më i suksesshëm në vitet e fundit. Edhe për sezonin 2017-2018, Skënderbeu mori pjesë në fazën në grupe të Europa League.

Vendimi i plotë i UEFA:

Bazuar në konsideratat e sipër-përmendura, Inspektorët e Etikës dhe të Disiplinës kërkojnë nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë UEFA-s që:

Të referojnë çështjen tek Komisioni i Apelit në UEFA në lidhje me nenin 34(3) në Statutin e UEFAs dhe nenit 29(3) në Rregulloren e Disiplinës.

Kështu, Inspektorët e Etikës dhe Disiplinës kërkojnë nga Komisioni i Disiplinës që:

Të deklarojë se KS Skënderbeu është i përjashtuar nga pjesëmarrja në çdo kompeticion të UEFAs për dhjetë (10) vite.

I shtohet edhe një gjobë prej 1 milionë eurosh për KS Skënderbeu.

Inspektorët e Etikës dhe të Disiplinës kanë të drejtat e tyre të shtojnë apo të ndryshojnë këtë raport me informacione apo prove të tjera në lidhje me këtë çështje.

Nion, 7 shkurt 2018.