Transmetuar më 19-02-2018, 10:41

Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria është një vend që jo vetëm rritet, por ku italianët e ndjejnë veten si në shtëpinë e tyre.

Duke folur paraditen e sotme në forumin e biznesit Shqipëri-Itali, kreu i qeverisë tha se shqiptarët dhe italianët kanë të njëjtën histori në kuptimin e traditave dhe asaj që e bën një prej vendeve më të mëdha dhe të mrekullueshme të botës, “Jemi Italia e gjyshërve tuaj, ku ka shumë për të parë, për të bërë dhe shumë për të fituar”.

Ai shtoi se pavarësisht pengesave, Shqipëria, ka një mënyrë të qeni dhe të jetuari që ngjan si dy pika uji me Italinë, me avantazhin sipas tij, se taksat janë shumë më të ulëta dhe burokracia gjithashtu.

“Janë dy gjëra që e bëjnë të vuajë shimë Italinë prej vitesh, ndërsa në Shqipëri nuk janë aq të rënda, edhe pse duhet të vazhdojmë të lehtësojmë burokracinë. Vendi ka shumë potenciale rritjeje dhe shumë mundësi investimesh në sektorin e energjisë, naftës, mineraleve, bujqësi, në sektorin agro-ushqimor etj., por ajo që po përjetojmë në këtë periudhë është se hapësira ku mundësitë janë të shoqëruara edhe nga një kërkesë në rritje, është ajo e turizmit. Ka vërtetë shumë për të bërë në këtë fushë, ndërsa çdo vit rritja e kërkesës është e paarritshme nga oferta”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se refuzohet 5% e kërkesës, ndërsa nënvizoi se Shqipëria ka një legjislacion shumë favorizues për gjithë ata që investojnë në turizëm.

Në këtë linjë Rama shprehu bindjen, se në 5 apo 10 vitet e ardhshme, turizmi do jetë kantieri më i rëndësishëm i Shqipërisë në të gjitha pikëpamjet.

Ai sqaroi se kushdo që do të investonte në një hotel apo resort me 5 yje, nuk do paguante për 10 vjet asnjë taksë, as të ndërtimit, as fitimit, vetëm Tvsh prej 6% dhe më pas do të kishte edhe licencën falas për kazinotë dhe marinën.

Lidhur me reformën në drejtësi, Rama e cilësoi si një element të rëndësishëm garancie, por shtoi se mjafton të thuhet se në të gjitha rastet e problemeve me drejtësinë, janë minimale dhe se nuk është drejtësia pengesa më e madhe për ndërmarrjet italiane në Shqipëri.

“Ne duam të jemi anëtar të Bashkimit Europian, por për mua do ishte objektiv i arritur, nëse do arrinim të ishim një pjesë efikase e jugut të Italisë. Ne nuk do mund të bëhemi një Zvicër apo Gjermani, sepse do ishte tepër e mërzitshme, por duam ta bëjmë Shqipërinë një Itali të vogël. Kjo do të ishte mjaft efikase”, tha Kryeministri në fjalën e tij. /a.y/noa.al

Ahmetaj: Shqipëria, treg interesant. Amb.italian: Reforma në drejtësi, thith investimet