Transmetuar më 20-02-2018, 09:13

Së paku 17 persona kanë gjetur vdekjen të mbuluar nga një grumbull gjigant plehrash si pasojë e shembjes së një pjese të malit të mbuluar nga mbetjet në Maputo, kryeqytet i Mozambikut.

Sipas mediave vendase, ngjarja e rëndë ndodhi për shkak të shirave të rrëmbyer që kanë goditur vendin. Ndërkohë shembja e faqes së malit të mbuluar me mbetje, shkatërroi pesë shtëpi këtë të diel, teksa dyshohet se mund të ketë më shumë viktima.

Disa familje në zonë kanë braktisur shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut se mund të ketë shembje të tjera.

“Jetoj në këtë lagje, pasi nuk kam vend tjetër ku të shkojë”, tha një banore e zonës, Maria Huo, shkruan noa.al.

“Prej më shumë se dhjetë vitesh shkarkimi i plehrave duhet të ishte mbyllur, pasi zona ishte e tejmbushur, por pavarësisht kësaj shkarkimet vijuan”, deklaroi Teresa Mangue, një zyrtare e zonës.

Shirat e rrëmbyer që goditën zonën e Maputo, qysh prej së dielës, kanë shkaktuar përmbytje të shumta, duke dëmtuar rrugë dhe shtëpi. /a.y/noa.al