Transmetuar më 20-02-2018, 09:25

Zbulohet një shtëpi në Tiranë, e cila përdorej si bazë prostitucioni online. Policia e Tiranës kurorëzoi mbrëmjen e kësaj të hëne operacionin e koduar “Chat Line 4”, duke arrestuar një vajzë dhe një djalë, dhe duke nisur hetimet në gjendje të lirë për 7 vajza.

Pas një hetimi disa mujor me metoda speciale të hetimit, efektivët e policisë së Tiranës finalizuan me sukses operacionin, duke arrestuar Anushe Ll., 24 vjeçe, banuese në Tiranë, administratore e studios “Chat Line Adult Work”, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.

Krahas saj u arrestua dhe Met Tali, 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjithashtu u proceduan penalisht për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” shtetaset, A. H., 25 vjeçe; A. L., 31 vjeçe; A. Xh., 22 vjeçe; S. M., 30 vjeçe; A. Sh., 21 vjeçe; A. T., 23 vjeçe dhe E. R., 23 vjeçe.

Sakaq janë shpallur në kërkim për veprën penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” edhe dy vajza, S. B., 33 vjeçe dhe D. G., 29 vjeçe.

Nga veprimet hetimore rezulton se Anushe Ll., dyshohet se prej një kohe të gjatë, punësonte vajzat e mësipërme dhe i shfrytëzonte ato për prostitucion virtual, i cili zhvillohej nëpërmjet logimit në faqen “Adult Work”, aktivitet i cili kryhej në një apartament në rrugën “Don Bosko”.

Në këtë aktivitet Anushja dyshohet se është futur nëpërmjet shtetases D. G., të cilën më herët e ka pasur në administrim, në bashkëpunim me shtetasen S. B.

Gjatë kontrollit të njërit prej apartamenteve ku ushtrohej ky aktivitet i paligjshëm, apartament i cili ishte marrë me qera nga shtetasi Met Tali, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 17.4 gramë lëndë narkotike kanabis sativa.

Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shtatë kompjutera dhe pajisje të ndryshme që përdoreshin për kryerjen e aktivitetit.

Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe “Prostitucioni”. /a.y/noa.al