Transmetuar më 20-02-2018, 10:41

“Pamë tmerr me sy, nëna kërkonte fëmijët. Nuk na kishte ndodhur kurrë që të shihnim një aksident aq të rëndë në gjithë këto vite. Ajo që ndodhi dielën ishte e tmerrshme. U shua thuajse një familje”.

Kështu u shprehën dje dëshmitarë okularë të aksidentit tragjik, ku humbi jetën 40-vjeçari Edmond Preka dhe dy fëmijët e tij (djali 6 muajsh dhe vajza 5 vjeçe), ndërsa u plagosën rëndë bashkëshortja 36-vjeçare, Evisa Preka dhe vajza tjetër e tyre 10 vjeçe.

Në aksidentin e ndodhur mbrëmjen e së dielës në zonën e plazhit të Velipojës mbetën të plagosur dhe dy persona të tjerë. Një ditë pas ngjarjes, mjekët e spitalit të Shkodrës bënë me dije se 10-vjeçarja është në koma dhe se ka pak mundësi që ajo të rikthehet në jetë.

Ndërsa, mësohet se nëna e fëmijëve është jashtë rrezikut, bashkë me dy të plagosurit e tjerë. Bëhet fjalë për shtetasit Ndrek Gjergji dhe Sokol Mullai. Burime zyrtare nga policia e Shkodrës pohuan se këta dy të fundit po udhëtonin me automjetin tip fuoristradë tip “Hyonday” me targa AA292OL (drejtohej nga Gjergji) që u përplas me makinën tip “Alpha Romeo”, me të cilën udhëtonte familja Preka. Pas aksidentit me tre të vdekur dhe katër të plagosur, një grup ekspertësh nga Tirana kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet. Pritet akt-ekspertiza për të saktësuar shkaqet e përplasjes fatale mes dy mjeteve.

Dëshmitarët

Personat që u bënë dëshmitarë të aksidentit tragjik janë tronditur nga imazhet dhe ajo çfarë kanë përjetuar. “Sapo dëgjova se kishte ndodhur një aksident, menjëherë dola nga shtëpia. Shkova në vendngjarje se ishte afër dhe pashë fuoristradën mbi hekurat mbrojtëse në anë të rrugës. U afrova dhe dëgjova gruan që bërtiste: ‘Ku i kam fëmijët, ku e kam djalin’. Djalin e vogël 6 muajsh e mbante një burrë në dorë. Gjetëm një batanije tek banesa e vëllait tim dhe e mbuluan me atë. Pastaj ka ardhur ambulanca e Velipojës dhe e ka marrë për ta dërguar në urgjencën e spitalit të Shkodrës. 10 minuta më pas erdhi edhe ambulanca nga Shkodra. Nuk kishim si ta nxirrnim shoferin e njërës prej makinave, pasi ishte brenda dhe nuk kishim gurë prerës freksibël. Duke mos pasur zgjidhje tjetër, e prenë makinën me sëpatë dhe e dërguan me një mjet drejt spitalit të Shkodrës”, tha dëshmitari Gjon Gjeka, shkruan ‘Gsh’.

Ndërsa u shpreh se “ishte një ngjarje tejet e tmerrshme për mua dhe për të gjithë besoj. S’kam parë ndonjëherë në jetën time një tmerr të tillë. Ne këtu jemi të tronditur. Unë kam mbi 50 vite shofer dhe kam parë aksidente, por si ai që ndodhi këtu, nuk kam parë ndonjëherë. Ne kemi dhënë ndihmën e parë aq sa kemi mundur duke dhënë batanije, duke gjetur ndonjë mjet tjetër, duke i ndihmuar për t’i futur në ambulancë dhe në makina të tjera për t’i dërguar në spitalin e Shkodrës. E kemi përjetuar shumë keq, është një tragjedi e vërtetë ajo që ndodhi. Nuk ka rrezik më të madh, një familje që thuajse shuhet. Familjen Preka që u ndodhi tragjedia i njoh sepse janë nga Velipojë, jetojnë në Plazh”. Ndërkaq. Dëshmitari Miruk Paloka pohoi se, “dëgjuam një krismë të madhe dhe fillimisht menduam se mos është ndonjë sherr mes personave të ndryshëm. Dola jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur. Shkova tek vendi dhe pashë se ishte një aksident shumë i rëndë. Skëterrë e vërtetë, një ngjarje që nuk e kisha parë, as dëgjuar kurrë më parë. Të aksidentuarit i kemi ndihmuar që të hipin në ambulancë dhe jemi munduar që t’u japim ndihmën e parë brenda mundësive tona. Kam parë fëmijët duke hipur në ambulancë dhe shoferin e fouristradës. Një ngjarje e tmerrshme për të gjithë, shumë keq ndjehemi për çfarë ka ndodhur. Kam dëgjuar nënën e fëmijëve që thoshte ‘ku i kam fëmijët’, kërkonte djalin. Ishte e gjakosur në fytyrë dhe ashtu kërkonte fëmijët. Kam parë personat e aksidentuar të shtrirë në tokë. E kemi përjetuar shumë keq dhe them kjo mos i ndodhtë as armikut. S’ka se ku shkon më rëndë për atë familje. S’kemi fjalë, jemi të tronditur edhe ne”.

Urgjenca e spitalit rajonal të Shkodrës për një moment konfirmoi ndarjen nga jeta të vajzës 10-vjeçare, ndërsa shefi i urgjencës, Astrit Lahi u shpreh se ka qenë një nxitim i momentit dhe se vajza është ende gjallë, por me shpresa tejet të pakta për t’u rikthyer në jetë.

“Gjendja e vajzës është ende shumë e rëndë. Është në gjendja koma të thellë. Megjithatë vazhdon që të mbahet me aparatura dhe për momentin është gjallë. Shanset e vajzës 10 vjeçe për t’u kthyer në jetë janë të vogla, sepse dëmtimet që ka pësuar janë të mëdha. Me gjendjen që është, mund të shprehem me shumë rezerva për sa i përket kthimit në jetë. Truri i vajzës praktikisht ka humbur funksionin, po ashtu edhe trupi, prandaj them që gjendja e saj është shumë e rëndë dhe shanset për të jetuar janë thuajse zero. Që nga momenti kur ka ardhur në spital është në gjendje koma dhe nuk ka asnjë lloj përmirësimi, është në të njëjtin status dhe sa më shumë që kalojnë orët, shanset janë gjithnjë e më të vogla. Sa i përket lajmit për ndarjen nga jeta, ndoshta është një nxitim edhe nga ana e urgjencës, sepse vajza është në reanimacion dhe u takon atyre ta japin fjalën e fundit. Gjendja e nënës është më stabël dhe them jashtë rrezikut për jetën”, deklaroi shefi i urgjencës, Astrit Lahi.

Aksidenti me 3 të vdekur në Shkodër, përmendet nëna: Ku i kam fëmijët

Aksidenti në Velipojë, flasin dëshmitarët: Nëna kërkonte djalin, pamë tmerr me sy

Aksidenti me 3 të vdekur në Shkodër, Urgjenca: U nxituam, vajza 10 vjeçe ende në jetë

Përplasje fatale mes 2 automjeteve në Shkodër, vdesin babai dhe 2 fëmijët