Transmetuar më 21-02-2018, 10:44

Në pritje të turneut që do të nis në Milano në 28 prill, këngëtari Ermal Meta, po njeh sukses vetëm në rritje, qysh pas fitores së festivalit italian të muzikës “Sanremo”.

Kënga fituese “Non mi avete fatto niente”, e kënduar prej tij dhe Fabrizo Moros, është ngjitur në majën e klasifikimeve të shitjeve, si dhe është bërë mjaft popullore edhe në radio.

Ky është një moment i artë për këngëtarin shqiptar Ermal Meta, i cili po zhvillon karrierën vrullshëm në Itali.

“Non mi avete fatto niente”, është në krye të këngëve më të kërkuara në iTunes, ndërsa renditet e para në klasifikimin e Top 50 Italia si dhe ka hyrë në Global Viral te Spotify.

Por ai është komentuar edhe sa i përket orientimit të tij seksual, ku janë hedhur dyshime të shumta, madje në rrjetet sociale kanë nisur të qarkullojnë vizatime të tij dhe Fabrizios në momente intime.

Ndërsa në fillim tha me shaka se ai dhe Fabrizo duhen, por jo aq shumë, ka vendosur që të sqarojë njëherë e mirë gjithçka.

“Kam ironizuar disa foto qesharake pa u ndjerë i ofenduar. Homoseksualiteti nuk është diçka për t’u mbrojtur. Por mua më pëlqejnë femrat, ashtu siç i pëlqejnë edhe Fabrizios. Nëse do të ndryshonte diçka ju premtoj se do ju them vetë! Rroftë dashuria”, shkruan Ermali. /a.y/noa.al