Transmetuar më 24-02-2018, 09:09

Një tjetër aksident tragjik është regjistruar mëngjesin e sotëm në rrugët e vendit tonë.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 07:40, tek Mali i Robit në afërsi të Kavajës, ku dy persona kanë gjetur vdekjen dhe një tjetër është plagosur rëndë.

Sipas burimeve policore mjeti tip “Toyota” me drejtuese I. P., 30 vjeçe, ka aksidentuar me pasojë vdekjen 2 shtetas përkatësisht vjehrri dhe nusja, Xh. F., 69 vjeç dhe E. F., 34 vjeçe.

Gjithashtu është lënduar edhe fëmija i mitur XH. F., 8 vjeç, i cili u transportua në spitalin e Durrësit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit gjatë drejtimit të mjetit si pasojë e lagështirës në rrugë.

Policia dhe grupi hetimor po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të aksidentit, ndërsa drejtuesja e mjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme.

Tre ditë më parë një tjetër aksident i rëndë ndodhi në Maminas ku humben jetën dy persona. /b.l/noa.al/