Transmetuar më 08-05-2018, 20:48

Policia e Shtetit ka reaguar duke konfirmuar zyrtarisht ekstradimin e Izet Haxhisë nga Turqia, i shpallur në kërkim pasi është dënuar në mungesë me 25 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit.

Policia ka shpërndarë edhe foton që Haxhisë i është bërë pasi u shoqërua nga policia.

Pasi zbriti nga avioni, Haxhia u shoqërua në Komisariatin e Rinasit nën masa të rrepta sigurie për kryerjen e procedurave standarte. /a.m./noa.al/

***

Ashtu siç edhe u paralajmërua më herët gjatë ditës, ish-truproja e Sali Berishës, Izet Haxhia ka mbërritur në Shqipëri.

Haxhia u ekstradua nga Turqia ku strehohej prej vitesh ndërkohë avioni që e solli në atdhe zbriti në Rinas në orën 20:07 minuta.

Për shoqërimin e tij nga aeroporti policia mori masa të rrepta sigurie.

Aksi rrugor nga Rinasi deri në ambjentet e policisë paraprakisht ishte blinduar nga patrulla të shumta.

Izet Haxhia do të qëndrojë fillimisht në ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe brenda 48-orësh, kur ai të dalë para gjykatës pritet të zhvendoset në ambjentet e burgut 313 ose 302 në Tiranë.

Izet Haxhia, i dënuar në mungesë për vrasjen e ish deputetit Azem Hajdari, ekstradohet nga Turqia pas një vendimi për të, marrë nga gjykata Turke pas kërkesës së ministrisë shqiptare të Drejtësisë.

Haxhia akuzohet për vrasjen e Azem Hajdarit. Disa ditë më parë ai u vetëdorëzua në policinë turke, me qëllim që të niste procedura e ekstradimit drejt Shqipërisë. Lajmin e vetëdorëzimit ai e njoftoi përmes faqes në Facebook. 

Deri tani Haxhia nuk ka bërë kërkesë për rishikim vendimi, një veprim juridik ky që e shpëton atë nga gjykimi i çështjes nga gjykata e Krimeve të Rënda, e cila është kompetente për veprën penale për të cilën ai është dënuar në mungesë. 

Izet Haxhia u arrestua në vitin 2006 në Turqi, por drejtësia turke nuk ishte shprehur ende për ekstradimin e tij, ndonëse pala shqiptare kishte bërë kerkesa të vazhdueshme në kohën. 

Për 12 vjet me radhë gjykata turke kishte urdhëruar thjesht që ai të mos largohej jashtë vendit, ndërsa në muajin shkurt u mor vendimi për ekstradim.

Izet Haxhia është dënuar nga gjykata shqiptare me 25 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit, akuzë të cilën ai nuk e ka pranuar kurrë. Ekstradimi i tij në Shqipëri mund të çojë në rihapjen e dosjes "Hajdari". /a.m./noa.al/