Transmetuar më 10-05-2018, 10:25

Mahathir Mohamad është në rrugën e duhur për t’u bërë udhëheqësi më i vjetër i zgjedhur në botë, 92 vjeçar.

Fitorja e tij historike në Malajzi ka rrëzuar koalicionin Barisan Nasional (BN), i cili ka qenë në pushtet që nga Pavarësia, në vitin 1957.

Mbështetësit e hershëm të Mahathir mbushën rrugët pasi fitorja tashmë është pa kthim pas.

Asnjë parti e vetme brenda koalicionit nuk fitoi shumicën, kështu që teknikisht tani Mbreti i Malajzisë do të vendosë se kush do e formojë qeverinë.

Mahathir Mohamad: Një i mbijetuar politik

"Po, po, unë jam ende gjallë", tha Mahathir në një konferencë shtypi mëngjesin e së enjtes.

Ai u shpreh se koalicioni i tij nuk do të kërkonte hakmarrje, por do të "rivendoste sundimin e ligjit".

Rezultatet zyrtare treguan se opozita Pakatan Harapan – Aleanca e Shpresës – siguroi 113 nga 222 vende.

Turmat e mbështetësve të Mahathirit e kremtuan fitoren e tij në Kuala Lumpur.

"Ndjej se me këtë ndryshim ndoshta ne mund të shohim diçka më të mirë në të ardhmen", tha për AFP, Suva Selvan, një mjek 48-vjeçar.

"Shpresa jonë për të ardhmen është një qeveri më e mirë, e drejtë, e lirë dhe e bashkuar".

Si arriti të fitonte Mahathiri?

Z. Mahathir ishte kryeministër, në krye të koalicionit të BN, për 22 vjet, nga viti 1981 deri në vitin 2003.

Nën udhëheqjen e tij, Malajzia u bë një nga tigrat aziatikë – grupi i vendeve që panë që ekonomitë e tyre u zgjeruan me shpejtësi në vitet 1990.

Këtë mëngjes Malajzia është zgjuar në një situatë krejtësisht të re, transferimin e parë të pushtetit në historinë e saj, megjithëse tek një udhëheqës shumë i njohur./m.sh/noa.al/