Transmetuar më 17-05-2018, 21:52

Nga Afrim Krasniqi

Shqipëria politike? Më 1997 ish kancelari austriak e thoshte me një fjali atë që përfaqësojnë elitat tona politike: është e pamundur ta gjej cilët janë djaj dhe cilët engjëj, dy palët e duan Shqipërinë për vete. Pas 21 vitesh janë thinjur liderit dhe janë rritur imituesit e tyre, por pak gjëra kanë ndryshuar për elitat, partitë, shtetin e Shqipërinë.

Sistem ynë politik që fatkeqesisht bazohet në një ekuacion të thjeshtë: Ai që është në pushtet shikon tek opozita armikun, të shiturin, fatkeqësinë dhe kërcënimin, pengesën për integrim, alibinë e dështimit në qeverisje dhe të keqen e vendit. Ai që është në opozitë shikon tek qeveria të keqen e madhe, të korruptuarin, kriminelin, trafikantin, armikun e votës, pengesën për integrim, alibinë e dështimit në zgjedhje dhe kërcënimin për të ardhmen. Në fakt, palët duket sikur shohin njëri tjetrin në pasqyrë, me dallimin se tek portreti i vet duan të shohin fytyrën e tjetrit, kundërshtarit përballë. Kur dëgjoj kryeministrin që shfryn të gjithë arsenalin e tij artistik kundër cilido që e kritikon, – parti, politikan, gazetar, media, shoqëri civile, qytetar, diplomat, ndërkombëtar, etj, dhe kur shoh opozitën që e përshkruan Shqipërinë e sotme, 50% produkt edhe i saj, aq errët sa duket se jeton në një kohë e botë tjetër, – bindesh se Vranicki kishte të drejtë dhe bindesh se ky vend ka një problem të madh, jashtëzakonisht të madh, – pafuqinë për ndryshim, pafuqinë për reflektim, dhe kështu, pafuqinë për ecje përpara. Për 1000 arsye.

Cili politikan e cila parti na ka penguar më shumë? Ja një lexim kalendarik i “meritave” të palëve:

1992: Rotacion paqësor i pushtetit, PD në aleancë me PSD

1993: Arrestohet e dënohet kryetari i PS. Opozita bojkot Kuvendit

1994: Referendumi i rrëzuar. Një vit i humbur politik

1995: PS kritike në KE: Akuza – Shqipëria është mollë e kalbur

1996: Kriza politike e zgjedhjeve. Shqipëria humbi MSA

1996: PD refuzoi përsëritjen 40 zona, PS bojkotoi Kuvendin 9 muaj

1997: Piramidat dhe konflikti politik çoi në rënie të shtetit

1997: PS kontrolloi zgjedhjet, PD bojktoi 9 muaj Kuvendin

1998: Arrestimi i 6 politikanëve, vrasja e AH. Rikthim në pikën 0.

1998: PS heqje imuniteti për 10 deputetë, PD bojkotoi 5 muaj Kuvendin

2001: Skema e Dushkut: akuza për manipulim, PD bojkot Kuvendit

2002: Vonesë 2 vjet e MSA, shkak kriza Nano – Meta në qeveri

2003: Zgjedhjet lokale, kritika politike, PD bojkotoi raundin e dytë

2004: Kriza në qeveri, krijimi i LSI, akuzat për korrupsion

2005: Rotacion paqësor i pushtetit, shkak ndarja e të majtës

2007: Sherri për certifikatat në Tiranë, shtyhen zgjedhjet 2 muaj

2008: Ngjarja e Gërdecit. Konsensus politik për hyrjen në NATO

2009: Kërkesa për hapjen e kutive. PS bojktoi Kuvendin 9 muaj

2010: Protestat për kutitë. Vonohen 6 muaj liberalizimi i vizave

2011: Nis me 21 janarin. Kërkesa mbyll kutitë. PS bojkoton disa muaj

2012: Sherri për Vangjel Ndreko (PS, Fier), shtyhet miratimi i MSA

2013: Rotacion paqësor i pushtetit. Shkak, kalimi i LSI majtas

2014: Shqipëria merr status kandidat. Dekriminalizimi, PD bojkot Kuvendit.

2015:  PD, kritike e ashpër për kriminalizimin dhe reformën territoriale

2016: Votohet drejtësia. Akuzat për kanabizimin. Shtyhet hapja e bisedimeve

2017: Çadra e opozitës, pakti politik për zgjedhjet. Shtyhet hapja e bisedimeve

2018: ………??????? sepse sic ka nisur, nuk kemi parë gjë akoma!!!!

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al