Transmetuar më 24-05-2018, 11:32

U nda nga jeta në moshën 80-vjeçare Kolec Topalli.

Ai ishte një ndër intelektualët e shquar të vendit, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Akademiku Topalli njihet për veprën e tij më të rëndësishme “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”.

U lind më 4 dhjetor 1938 në qytetin e Shkodrës dhe ka botuar një sërë veprash si monografi, vepra kolektive, përmbledhje studimesh etj.

"Sot, më 24 Maj 2018, pas një sëmundjeje të rëndë, u nda nga jeta në moshën 80 vjeçare Prof. Dr. Kolec Topalli, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, “Mësues i Popullit”, studiues i gjuhës, veprimtar publik dhe drejtues e funksionar në institucione të larta shkencore dhe zyrtare", njofton Akademia e Shkencave.

Kolec Topalli është autor i dhjetëra librave, artikujsh e kumtesash, si bashkëpunëtor i më shumë se 30 revistave shkencore brenda e jashtë vendit, me botime në 5 gjuhë të huaja. Pedagog i Fonetikës Historike në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe nga viti 1997 ishte bashkëpunëtor shkencor i Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave. Ka botuar librat: "Theksi në gjuhën shqipe", "Për historinë e hundorësisë së zanoreve në gjuhën shqipe", "Zhvillimi historik i diftongjeve të shqipes", "Sonantet e gjuhës shqipe", "Fërkimoret e afrikatet e gjuhës shqipe".

Homazhet në nder të personalitetit të akademikut të mirënjohur do të mbahen në Akademinë e Shkencave më datë 25 maj 2018 nga ora 10.00 deri në 11.00. Ndërsa, ceremonia e përcjelljes do të bëhet në venlindjen e tij, në Shkodër.