Transmetuar më 24-05-2018, 12:21

Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Edi Rama iu rikthye temës së audiopërgjimit të Agron Xhafës.

Rama ironizoi duke u shprehur se kjo është një histori e hatashme dhe se shumë shpejt do të dalin në dritë skenaristët, regjisorët dhe producentët, duke thumbuar liderin e PD-së, Lulzim Basha dhe ish- kryeministrin Sali Berisha.

"Ai ditëziu i rrugëve të Vlorës është si figurantët e neorealizmit italian, ça t’i thuash thotë, por historia është shumë herë më serioze sesa duket, se si është t’ia lënë prokurorisë, të vijë përgjigja e analizës shkencore, jo në studio private, në një laborator nga vende partnere me Shqipërinë.

Ata që u zemëruan se vëllai i ministrit të Brendshëm qenka trafikant droge, çfarë do mendoni për veten tuaj, kur kjo që unë them të dalë si unë po them, e kur të mësoni se bëhet fjalë për një tallje të madhe me të gjithë ju, që synon destabilizmin e vendit jo një skup mediatik", tha Rama.

Ai komentoi edhe protestën e opozitës që do të mbahet ditën e shtunë.

"Si do ju duket vetja pasi të dilni në protestë, kur të mësoni se keni dalë si shkohet në kinema për të parë një film e për të mbushur sallën e kinemasë, si do ju duket vetja!

Koha kur shkoje në protestë e nuk ktheheshe në shtëpi, por në morgun e Tiranës ka vdekur. Kjo nuk ka lidhje me protestën, por talljen e madhe. Mendojeni këtë që të mos ju duket vetja të keqpërdorur”, theksoi Rama.