Transmetuar më 24-05-2018, 19:44

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në aktivitetin për lançimin e projektit “Smile Albania”.

Në fjalën e rastit, shefi i qeverisë theksoi se mbi një mijë të rinj janë punësuar dhe do të mirëpresin dhe informojnë grupimet e turistëve.

Ai tha se këtë vit Shqipëria do të ketë shumë surpriza dhe nuk do tetë një vend ku turistët vijnë vetëm për diellin dhe natyrën e bukur.

“Krijimi i zinxhirit turistik do bëjë që për të huajt Shqipëria të mos jetë vetëm një vend i bukur me diell. Dua të nënvizoj që sidoqoftë, në fund fare, gjithkush prej nesh duhet ta kujtojë që gjithçka duhet të nisë nga pastërtia. Në këto gjashtë muaj është bërë një punë titanike”, tha Rama.

Ndërkohë ai theksoi si mjaft të rëndësishme rritjen e kapaciteteve pritëse për turistët. Rama u ndal edhe te programi “100 fshatrat”, duke theksuar se synohet shtimi i zonave shlodhëse.

“Do mësojmë shumë nga ky sezon dhe mund ta themi se do jetë sezoni më i pastër dhe i sigurtë. Vjet prekëm tavanin e pesë milionë turistëve, ndërsa këtë vit presim që të kemi rezultat edhe më të mirë. Jam i bindur se ky sezon do jetë surprizë. Do ndihet që ka shtet dhe gatishmëri për t’u shërbyer atyre që vizitojnë shtëpinë tonë të përbashkët”, tha Rama./a.m./noa.al/