Transmetuar më 25-05-2018, 12:11

Në kuadër të protestës së opozitës që do të nisë nesër nga ora 11:00, policia e Shtetit ka marrë masa për angazhimin e mbi 1500 efektivëve.

Teksa opozita ka lajmëruar se protesta do të nisë nga sheshi "Skënderbej" për të vijuar para kryeministrisë, ajo do të ndiqet "hap pas hapi" nga forcat RENEA, FNSH, Forcat e Lëvizjes Operacione dhe Forcat e Rendit, oficerë civilë, si dhe agjentë të SHISH, që do të vendosen pranë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’.

Për mbarëvajtjen e saj në bulevard do të jenë në gatishmëri edhe forcat zjarrfikëse dhe autoambulancat.

Ndërsa sa i përket trafikut do të ketë devijime në aksin që lidh bulevardin me qendrën, ku do të bllokohet qarkullimi në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe rrugët ndërlidhëse.

Kurse për sa i përket autobusëve që do të sjellin protestuesit nga rrethet nuk do të lejohen të futen në Tiranë, por do vendosen pranë stadiumit “Asllan Rusi” ata që do vijnë nga ana veriore dhe tek Fakulteti Ekonomik autobusët e juglindjes.

Nuk dihet sesa do të zgjasë protesta pasi nga ana e opozitës nuk ka pasur një orar të paracaktuar, por eksponentë të saj janë shprehur se do jetë paqësore.

Kujtojmë që për afro një muaj vendet e BE-së do të japin vendimin nëse Shqipërisë do i hapen apo jo negociatat dhe në këtë rast destabiliteti është i panevojshëm./m.sh/noa.al/