Transmetuar më 25-05-2018, 12:37

Zbulohet emri i ambasadorit që do të zëvendësoje Romana Vlahutin, në krye të zyrës diplomatike të BE-së në Tiranë.

Italiani Luigi Soreca është zyrtari i komisionit Europian në Bruksel që nga shtatori pritet të jetë ambasadori më i ri i BE-së në Shqipëri.

Ai aktualisht është drejtor për Sigurinë në DG Home, duke kontribuar për një nivel të lartë sigurie për qytetarët evropianë.

Detyra e tij lidhet me luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të tjera të rënda, promovon bashkëpunimin në zbatimin e ligjit në nivel evropian, edhe me ndihmën e EUROPOL e CEPOL.

Drejtoria është përgjegjëse edhe për zhvillimin e politikave anti-drogë, edhe me ndihmën e EMCDDA.

Luigi Soreca negocioi dhe përfundoi Partneritetin e Lëvizjes me Marokun e Tunizinë më 2012-2013 dhe ka qenë në krye të koordinimit të Dialogut për Liberalizimin e Vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor, brenda kuadrit të Partneritet Lindor dhe me Federatën Ruse.

Ai ishte përgjegjës për menaxhimin dhe implementimin e Përqasjes Globale për Migracionin dhe Lëvizjen (GAMM) si dhe për aspekte të tjerë ndërkombëtarë të migracionit.

Soreca ka dhënë leksione ligji në Universitetin L.U.I.S.S në Romë dhe ka punuar për Ministrinë e Brendshme të Itaisë për gjashtë vjet para se të bashkohej me Komisionin më 1998.

Ai flet rrjedhshëm italisht, frëngjisht, anglisht e spanjisht.

Soreca është një njohës i mirë i Shqipërisë për shkak të angazhimeve të mëparshme si një nga figurat kyce në Bruksel për liberalizimin e vizave.