Transmetuar më 25-05-2018, 13:02

Pezullohet nga detyra mjekja e urgjencës së spitalit të Fierit, Ina Rruzhdija, pas vdekjes së 21-vjeçares Xhuljeta Gjeka.

Pezullimi i saj është bërë me vendim gjykate, pas denoncimit nga familjarët e së ndjerës për mjekim të pakujdesshëm.

Në dëshminë e tyre familjarët shprehen se e kanë dërguar vajzën disa herë në urgjencën e spitalit të Fierit, pasi sipas tyre ajo ka pasur shqetësime serioze dhe temperaturë, ndërsa mjekët e kanë përcjellë për në shtëpi pa e marrë rastin seriozisht.

Gjyshi dhe babai i vajzës, Pilo dhe Altin Gjeka, deklaruan qysh asokohe se Xhuljeta ka humbur jetën për faj të personelit të spitalit.

Nga ana e saj policia tha se vajza ka vdekur për shkaqe natyrale, por se pritej hetimi i plotë dhe analizat mjeko- ligjore për të zbuluar shkaqet e vërteta.

Sakaq Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Fierit duke caktuar masën e sigurimit personal ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për mjeken Ina Ruzhdija, me detyrë Mjeke Urgjence në Repartin e Urgjencës së Spitalit Rajonal Fier, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mjekimit të pakujdesshëm” me pasojë vdekjen e të ndjerës Xhuljeta Gjeka e moshës 21 vjeç, banuese në fshatin Mujalli, Fier.

Rezulton se, më 12 shkurt mjekja roje e urgjencës Ina Ruzhdija nuk ka vizituar, shtruar dhe mjekuar pacienten Xhuljeta Gjeka, e cila është dërguar nga familjarët e saj në gjendje të rëndë shëndetësore në Repartin e Urgjencës së Spitalit Rajonal Fier.

Pavarësisht insistimit të familjarëve për mjekimin e Xhuljetës pasi ajo kishte temperaturë të ulët, mjekja Ina Ruzhdija nuk i ka dhënë ndihmë mjekësore pacientes, duke u thënë familjarëve që ta merrnin në shtëpi pasi gjendja e saj ishte gripale.

Pasi është dërguar në banesë, gjendja shëndetësore e Xhuljetës është përkeqësuar brenda pak orësh, fakt që i ka detyruar familjarët e saj ta dërgonin përsëri në Spitalin Rajonal Fier, ku ajo ka humbur jetën në ambientet e këtij spitali.

Nga ana e Prokurorisë Fier po vazhdojnë hetimet në lidhje me individualizimin e përgjegjësisë penale të stafit mjekësor pranë Spitalit Rajonal Fier. /a.y/noa.al

Vdekja e 21-vjeçares nga Fieri, flasin babai dhe gjyshi i saj

Fier, 21 vjeçarja shkon në spital me temperaturë të ulët, më pas gjen vdekjen