Transmetuar më 03-08-2018, 11:40

Një vajzë e vogël vetëm 4 vjeçe, u mbyt në mënyrë tragjike, pasditen e kësaj të enjteje, pasi një grua e identifikuar si nëna e saj, e hodhi nga një urë në një lumë në Florida, SHBA.

Policia e Tampa-s konfirmoi se trupi i vogëlushes Je’Hyrah Daniels, u gjet në lumin

Hillsborough rreth orës 16:30 të së enjtes. Nëna e saj, Shakayla Denson, 26 vjeçe, tashmë po përballet me akuzën e vrasjes.

Disa dëshmitarë thanë në polici se e panë gruan teksa hidhte të bijën në lumin pranë West Aileen Street, në Rome Avenue.

Pas disa orësh kërkime, më në fund trupi i Je’Hyrah u gjet, por ajo u deklarua e vdekur.

Sakaq nëna e së miturës, u arrestua teksa ecte në një rrugë jo shumë larg vendit të ngjarjes, teksa pak më parë kishte vjedhur një makinë.

Ndërkohë vetë 26-vjeçarja kishte krijuar një faqe në GoFundMe, rreth nëntë muaj më parë, ku kërkonte ndihmë për të bijën e cila ishte diagnostikuar me një çrregullim të spektrit autik, shkruan noa.al.

Në faqen e krijuar nga gruaja shkruhej se, “Synimi im është që të mbledh të ardhura për pajisjet për terapinë e sime bije. Dua të jem në kontakt me persona të tjerë që kanë probleme me autizmin dhe dua të mësoj prej tyre”.

Dyshohet se akti i rëndë i gruas është bërë, për shkak të lodhjes nga kujdesi për të bijën e prekur nga autizmi. /a.y/noa.al