Transmetuar më 09-08-2018, 15:24

Partia Demokratike akuzoi sot kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj se po vjedh 14 milionë euro me projektin e shkollave me PPP, duke theksuar se përfituesi i parë është ndërtuesi i shtëpisë së tij tek Kodra e Diellit, Gentian Sula.

Për të bërë publik kët pretendim opozitar, doli sot para mediave, këshilltari bashkiak i Tiranës, Mateo Spaho.

Ai tha se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka vendosur të fusë dorën edhe më shumë në xhepat e qytetarëve të Kryeqytetit dhe t’i grabisë ata duke përdorur si mburojë fëmijët dhe shkollat.

Sipas Spahos, Veliaj po përgatit dhe po zbaton skemën më të madhe të abuzimit me paratë tona, paratë e taksapaguesve, për t’ua dhënë klientëve të tij dhe klienteve të tutorit të tij Edi Rama.

“Kryetari i Bashkisë ka propaganduar me të madhe ndërtimin e 17 shkollave të reja njëherazi, duke detyruar qytetarët e Tiranës të paguajnë rreth 80 milionë dollarë në 7 vite për disa ndërtesa që, në vend ​të simbolit të dijes dhe të së mirës, do të jenë simboli i korrupsionit të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Pas rritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë, rritjes së taksës së tabelës, dyfishimit të taksës së pronës, rritjes së taksës për hapësirat tregtare, 6 fishimit të taksës për zënien e hapësirave publike,  vendosjes së takses për infrastrukturën arsimore, bllokimin e rrugëve dhe vendosjen e parkingjeve me pagesë, qytetarët e Tiranës do të paguajnë taksën e dyfishtë për arsimin, sepse Erion Veliaj ka vendosur të vjedhë 14 milionë euro nga projekti i shkollave me PPP”.

Por, si bëhet kjo vjedhje?

Opozita e ka një përgjigje:

“Shumica e familjeve në Tiranë ka marrë të paktën një herë kredi për shtëpi dhe gjithkush synon ta marrë me interesin më te ulët, mesatarja është tek 4%.

Por nuk ndodh kështu me Erion Veliajn. Kryebashkiaku hajdut dhe zhurmëmadh i Tiranës paguan me taksat tona 6.3 % interes tek ata që do të ndërtojnë shkollat me 80 milionë euro. 

Një kryebashkiak i ndershëm që nuk e ka mendjen të vjedhë dhe të kapë median si Erion Veliaj, do të kishte marrë kredi shtetërore me 3 % dhe, në vend te 17 shkollave, do të kishte ndërtuar 21 shkolla apo do të kishte kursyer 14 milionë euro”.

Dhe kush do t’i fitojë këto 14 milionë euro, kundër interesit të qytetarëve?

Demokrati Spaho, thotë: “I pari që ka firmosur kontratën me bashkinë e Tiranës është Gentian Sula!

Qytetarët e Tiranës duhet të dinë se ky është ndërtuesi i rezidencës luksoze të vilave në Kodrën e Diellit, ku jeton edhe kryebashkiaku hajdut Erion Veliaj.

Konflikti i interesit është i hapur, njësoj si vjedhja e 14 milionë euro me projektin e shkollave me PPP”. /noa.al/

Shënim: Redaksia mirëpret një qëndrim të bashkisë Tiranë, kruet të saj Veliaj dhe ndërtuesin Sula