Transmetuar më 12-08-2018, 16:32

Një person nga fshati Jabllanicë e Klinës është arrestuar para dy ditësh me dyshimin se ka kërcënuar familjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në fshatin Burojë të Skenderajt.

Sipas burimeve të KALLXO.com, fshatari i Jabllanicës ka shkuar në shtëpinë e familjes ku ka kërcënuar familjarët.

Arsyeja e kërcënimit sipas burimeve është pakënaqësia e qytetarit me ndarjen e një subvencioni në bujqësi.

Sipas kësaj medie, lajmi është konfirmuar edhe nga prokurorja Fikrie Sylejmani, e cila është duke e hetuar rastin.

“Vëllai i presidentit është ankuar për kërcënim”, ka thënë prokurorja.

Ajo ka shtuar se motivi i kërcënimit është pakënaqësia që personi i dyshuar e kishte rreth një granti.

“Personi është arrestuar dhe unë kam kërkuar paraburgim për të”, ka thënë prokurorja Sylejmani.

Ajo ka thënë se për momentin nuk mund të japë më shumë detaje.