Transmetuar më 13-08-2018, 12:58

Në Durrës dy ditë më parë, qindra udhëtarëve iu është dashur të presin më shumë se gjashtë orë tragetin dhe kjo ka bërë që disa prej tyre të humbasin durimin dhe të përleshen me rojat e sigurisë.

Trageti “Grandi Navi Veloci” do të duhej të nisej nisej në orën 12:00 nga Durrësi, por ka mbërritur vetëm në orën 18:00.

Në media u transmetuan momentet e përleshjes së ndodhur dy ditë më parë. Ndërkohë sot, policia ka reaguar duke sqaruar atë që ka ndodhur.

“Konflikti ka nisur midis ekuipazhit të tragetit të linjës Bari-Durrës-Bari dhe pasagjerëve”, raporton policia.

Pasagjerët ishin acaruar pasi  kishin disa orë që prisnin për të nisur për udhëtim, por trageti kishte pësuar defekt dhe kishte njoftuar se do të kishte vonesë në nisje sqaron më tej policia.

“Në lidhje me ngjarjen ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale ‘Plagosja e lehtë me dashje’, në ngarkim të shtetasit I. M. 35 vjeç, banues në Itali, me detyrë roje fizike të linjës Bari-Durrës-Bari, pasi ky shtetas është konfliktuar dhe ka goditur me sende të forta disa shtetas që do të udhëtonin me traget për në Itali”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Konflikti u shua me ndërhyrjen e punonjësve të Policisë së Kufirit Durrës.

Drejtoria Rajonale për Kufirin dhe Migracionin për rastin në fjalë, i ka kërkuar zyrtarisht Autoritetit Portual Durrës mbledhjen e Komitetit të Sigurisë me të gjithë Operatorët në marrjen e masave të nevojshme./a.m./noa.al/

Trageti u vonua gjashtë orë, udhëtarët konfrontohen me rojat e sigurisë në Durrës