Transmetuar më 10-10-2018, 11:27

Kryeministri Edi Rama tha sot se ai është i vendosur që të mbyllë doemos në fund të këtij viti, aktivitetin e lojërave të fatit në çdo qytet të Shqipërisë.

Në një deklaratë të bërë pak orë më parë, z.Rama ndryshe nga dje që tha se do të mbyllen kazinotë elektronike dhe pikat e basteve në zonat urbane, sot njoftoi se bastet dhe kazinotë elektronike do të dalin jashtë ligjit në 31 dhjetor.

‘Bastet dhe kazinotë elektronike do të dalin jashtë ligjit në 31 dhjetor’, – konfirmoi z.Rama.

Kurse lëshoi një paralajmërim për faqe interneti shqiptare që siç tha ai po vazhdojnë të reklamojnë të tilla aktivitete.

“Ama çdo reklamim i tyre në çdo lloj media, është i jashtëligjshëm. Portalet që kanë ende reklama të tilla t’i heqin vetë se ndërkohë po punohet për mbylljen e tyre! Mos kemi llafe për lirinë e shtypit pastaj”, shkruan Rama ditën e sotme.

Deklarata e z.Rama vjen nga fakti se edhe sot, 24 orë pas ultimatumit të djeshëm të lëshuar prej tij, portale informative në vend, vazhdojnë të publikojnë reklama të basteve.

***

Sakaq dje, në një konferencë për mediat, Rama deklaroi se do të pushojnë të funksionuari të gjitha kazinotë elektronike dhe bastet sportive dhe çdo lloj basti për çdo garë në pistë, me kuaj, qenë apo skllavë të tjerë faunës shqiptare.

Gjithashtu deklaroi se po punohet për rregullimin e kësaj veprimtarie në distancë, nëpërmjet internetit, dhe se brenda 31 dhjetorit do ketë gati një regjim të ri.

Rama tha se nga 1 janari nuk do ngrihet më asnjë qepen për baste dhe kazino elektronike në asnjë zonë të banuar në 28 mijë kilometër katrorë të Republikës së Shqipërisë. /a.y/noa.al

Rama: Çojmë sigurinë e burgjeve në nivel të panjohur! Paralajmërimi i fortë për lojërat e fatit

Lamtumirë kazino dhe pika bastesh, Shqipëria i ndalon me ligj si Turqia