Transmetuar më 10-10-2018, 12:28
Ministrja e Drejtesise, Etilda Gjonaj

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, deklaroi sot se grupet e kontrollit të Task Forcës Antikorrupsion, në raportet përfundimtare kanë rekomanduar 26 masa disiplinore, prej të cilave pesë largime nga puna gjatë javës së fundit.

Në personat e shkarkuar nga pozicioni janë tre përgjegjës sektori dhe dy specialistë pranë Drejtorisë Rajonale ALUIZNI Durrës.

Nga kontrollet e bëra dhe gjetjet e tyre ka rezultuar se në disa raste shkeljet e kryera nga punonjësit e administratës kanë elemente të veprave penale.

Në këto kushte nga ana e Task Forcës Antikorrupsion janë kryer kallëzime penale në Prokurori për 6 punonjës. Përkatësisht për ish-drejtorin e Drejtorisë Rajonale ALUIZNI Durrës, tre përgjegjës sektori dhe dy specialistë, të këtij institucioni, të cilët dyshohen të kenë kryer në bashkëpunim veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke legalizuar objekte në mos respektim të procedurave për rastet e legalizimeve.

Rezulton se këta punonjës kanë legalizuar objekte të cilat nuk kanë ekzistuar, ose janë legalizuar në sipërfaqe më të mëdha, nga gjendja e faktit.

Duke patur parasysh gjetjet e sipërpërmendura, është proceduar pa asnjë vonesë për rivendosjen e së drejtës të cenuar nëpërmjet anulimit të pasojave të këtyre veprimeve. Bazuar në rekomandimin e Task Forcës Antikorrupsion, është shfuqizuar leja e legalizimit nga autoriteti që ka lëshuar aktin, e dhënë në kundërshtim të ligjit si dhe është lëshuar urdhër kufizimi të pasurisë me qëllim mbrojtjen e pronës.

“Bashkëpunimi institucional mes Task Forcës Antikorrupsion, Prokurorisë, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera ka vijuar të jetë në nivele shumë të mira, dëshmi e vullnetit të plotë strukturave shtetërore për të luftuar këtë fenomen që minon themelet e shtetit ligjor, dobëson demokracinë dhe dëmton zhvillimin ekonomik të vendit. Nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve pranë ministrit të Drejtësisë janë dërguar përndjekje penale Drejtori, një përgjegjëse sektori dhe një punonjës i IEVP Krujë si dhe dy punonjës policie të Burgut të Vaqarrit për shpërdorim detyre”, u shpreh Gjonaj.

Ajo bëri me dije se është larguar nga detyra, specialistja në Sektorin e Regjistrimit dhe Hartografisë në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Devoll, e cila është denoncuar nga një qytetar në media, për arsye se i kishte marrë para në mënyrë të paligjshme për një shërbim publik. /a.y/noa.al