Transmetuar më 10-10-2018, 13:20

Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se sot “shteti privat” i Edi Ramës është jashtë Kushtetutës, ligjeve dhe çdo lloj mbikëqyrje apo kontrolli.

Në një konferencë për mediat nga selia blu ditën e sotme, ai deklaroi se Rama e pranoi vetë dje publikisht, ekzistencën e këtij shteti privat kur sipas tij, tha se ka një strukturë të posaçme hetimore që i shërben vetë atij.

“Mbrëmë pamë deputetë, drejtorë police dhe prokurorë që fabrikojnë prova dhe dëshmitarë, për të shpëtuar kriminelë. Edhe pse s’u thanë me emër pjesë janë edhe Fatmir Xhafaj dhe Arta Marku. Edi Rama, Ardi Veliu dhe Arta Marku, kanë komplotuar bashkë për të mbrojtur një trafikant, Agron Xhafaj dhe vëllanë e tij”, u shpreh Basha.

Sipas tij, kur shteti sulmon gazetarët, denoncuesit, policët e ndershëm dhe kundërshtarët politikë, vendi ndodhet në kushtet e një diktature mafioze.

Në këtë linjë deklaroi se dje shteti ishte në mbrojtje të bandës së Habilajve, ndërsa sot është “në mbrojtje të familjes mafioze Xhafaj".

Kreu i opozitës tha ndër të tjera se Arta Marku shkatërroi Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe se ka varrosur hetimet për Saimir Tahirin, Damian Gjiknurin, Vangjush Dakon dhe drejtues të tjerë të qeverisë, duke e cilësuar emërimin e saj si kryeprokurore, një katastrofë për drejtësinë.

“Edi Rama, Fatmir Xhafaj, Taulant Balla, Arta Marku, Ardi Veliu dhe të gjithë shërbëtorët e tyre të vegjël apo të mëdhenj, pjesë e manipulmit për të mbrojtur krimin,  do të dalin para drejtësisë. Sikurse do të dalin të gjithë kriminelët, në shtet, në qeveri dhe në rrugë. Pushteti i tyre nuk e ka të gjatë. Drejtësia ndaj tyre nuk do të mungojë. Rruga e pandëshkueshmërisë do të marrë fund bashkë me pushtetin e tyre”, tha në mbyllje të fjalës së tij Lulzim Basha. /a.y/noa.al

“Më mori në makinë”, drejtori i Policisë së Shtetit del me deklaratë për “Babalen”

Krimet e Rënda sekuestrojnë videon e Alizotit, pritet marrja në pyetje e Salianjit

Salianji i përgjigjet Ballës: Jo që s’iki me vrap, por vij aty ku jeni