Transmetuar më 10-10-2018, 14:42

Kryeministri Edi Rama, reagon pas deklaratës së kryedemokratit Lulzim Basha, i cili e akuzoi se po fabrikon prova dhe dëshmitarë, duke komplotuar me synimin e vetëm mbrojtjen e familjes së ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa.

Kreu i qeverisë ironizon, duke i thënë Bashës se është kapur me presh në dorë, por pavarësisht kësaj nuk heq dorë nga gënjeshtrat.

“E di artist, keq puna! Po ca nga sikleti se u kape me prasin në dorë këtë herë, e ca nga vesi që del me shpirtin dhe ty as nuk të rrihet pa vazhduar të sajosh e të gënjesh. E di o xhan që ti edhe veten e gënjen si askush, po mos shpreso kot se do rri mbuluar ajo pjesa që dimë të dy”, shkruan Rama.

Ai ndalet edhe tek rasti i Xhisiela Malokut, vajzës që denoncoi për dhunë ish-të dashurin e saj, djalin e deputetit socialist Rrahman Rraja.

“Ah dhe diçka me rëndësi: Po me vajzën çfarë dreqin ke që s’e le rehat? Ajo peng i krimit? Pengu juaj po, padiskutim! Lëshojeni vajzën e bëhuni njëherë të vetme burra dhe përballuni me shpifjen tuaj! Ik merri kamerat e komisariatit e shikoji bashkë me lehaqeniet e kazanit tënd”, shkruan Rama.

Basha: Shteti privat fabrikon prova dhe dëshmitarë, për të mbrojtur familjen Xhafaj

Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi më herët se sot “shteti privat” i Edi Ramës është jashtë Kushtetutës, ligjeve dhe çdo lloj mbikëqyrje apo kontrolli.

Në një konferencë për mediat nga selia blu ditën e sotme, ai tha se Rama e pranoi vetë dje publikisht, ekzistencën e këtij shteti privat kur sipas tij, tha se ka një strukturë të posaçme hetimore që i shërben vetë atij.

“Mbrëmë pamë deputetë, drejtorë police dhe prokurorë që fabrikojnë prova dhe dëshmitarë, për të shpëtuar kriminelë. Edhe pse s’u thanë me emër pjesë janë edhe Fatmir Xhafaj dhe Arta Marku. Edi Rama, Ardi Veliu dhe Arta Marku, kanë komplotuar bashkë për të mbrojtur një trafikant, Agron Xhafaj dhe vëllanë e tij”, u shpreh Basha.

Sipas tij, kur shteti sulmon gazetarët, denoncuesit, policët e ndershëm dhe kundërshtarët politikë, vendi ndodhet në kushtet e një diktature mafioze.

Në këtë linjë deklaroi se dje shteti ishte në mbrojtje të bandës së Habilajve, ndërsa sot është “në mbrojtje të familjes mafioze Xhafaj”.

Kreu i opozitës tha ndër të tjera se Arta Marku shkatërroi Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe se ka varrosur hetimet për Saimir Tahirin, Damian Gjiknurin, Vangjush Dakon dhe drejtues të tjerë të qeverisë, duke e cilësuar emërimin e saj si kryeprokurore, një katastrofë për drejtësinë.

“Edi Rama, Fatmir Xhafaj, Taulant Balla, Arta Marku, Ardi Veliu dhe të gjithë shërbëtorët e tyre të vegjël apo të mëdhenj, pjesë e manipulmit për të mbrojtur krimin, do të dalin para drejtësisë. Sikurse do të dalin të gjithë kriminelët, në shtet, në qeveri dhe në rrugë. Pushteti i tyre nuk e ka të gjatë. Drejtësia ndaj tyre nuk do të mungojë. Rruga e pandëshkueshmërisë do të marrë fund bashkë me pushtetin e tyre”, tha në mbyllje të fjalës së tij Lulzim Basha. /a.y/noa.al