Transmetuar më 12-10-2018, 08:50

Një operacion policor ka sekuestruar drogë, lëndë plasëse dhe municione luftarake, si dhe një sërë materialesh që dokumentojnë autorësinë e një sërë vjedhjesh, duke vënë në pranga një person.

Efektivët e policisë së Kurbinit, si rezultat i kontrolleve, në banesën dhe magazinën e lokalit në pronësi të Zef Markut, 34 vjeç, banues në Fushë -Mamurras në Kurbin bën arrestimin e tij.

Kjo pasi gjatë kontrollit efektivët e policisë gjetën dy kallëpe lëndë plasëse TNT, 3 kapsolla elektrodetonatore, një granatë defensive, 310 fishekë model 56, 130 gramë marijuanë, një makinë me targa që i përkasin një mjeti tjetër, 20 celularë dhe 3 numra telefoni, 20 vegla pune të ndryshme si motosharra, pompa uji, saldatriçe, gur fresibël etj., 13 pajisje elektronike laptop, magnetofon, 6 aparate fotografike dixhitale etj., 6 pajisje elektroshtëpiake televizor, hekura, pajisje vakumi etj., tre kuti me aksesorë të ndryshëm si kaçavida, çelësa, pajisje makinash çelësa automjetesh, aparate navigatore, aparate për karikim baterish etj.

Këto materiale dyshohen të jenë përfituar nga veprimtaria kriminale e vjedhjes së banesave, magazinave, serviseve etj, të ndodhura në territorin që mbulon Komisariati i Policisë Kurbin, për të cilat po punohet për dokumentimin ligjor të tyre.

Arrestimi i 34-vjeçarit u bë gjatë kontrolleve, me qëllim goditjen e paligjshmërisë dhe rritjen e parametrave të sigurisë.

Sakaq gjatë kontrolleve, janë shoqëruar në ambientet e policisë për verifikim 10 persona, kryesisht me precedentë penalë për armëmbajtje pa leje, vjedhje dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotike. /a.y/noa.al