Transmetuar më 15-01-2019, 18:09

Energjik, kontravers, ambicioz, thumbues e gjithçka mund të përfaqësojë një moderator i ri, i talentuar dhe që premton të ardhme në ekran.

Prej 5-vjetësh tashmë, Kelvi Kadilli e ka gjetur shtegun e tij në botën e ashpër televizive. Sigurisht, edhe në fillim të saj, as për të nuk ka qenë e thjeshtë, por ai e dinte mirë se dëshira dhe pasioni i hershëm i fëmijërisë, një ditë do të konkretizoheshin e do të bëheshin realitet.

Sepse e dinte mirë qysh në fillim gjithçka që donte të arrinte: ai e dashuron ekranin dhe do të vazhdojë të jetë këtu për aq kohë sa kjo dashuri të mos shterojë.

Pasditen e djeshme, Kelvi ishte i ftuar te “Rudina”, nga ku prezantoi për publikun një profil tjetër të vetes, për herë të parë. Jo vetëm sa i përket pasionit, profesionit të tij dhe ambicies, por rrëfeu më shumë edhe për jetën e tij personale – dajën më të mirë të një nipi dhe një mbese dhe vëllanë e përkëdhelur të dy motrave më të mëdha.

Duke prezantuar disa foto të hershme familjare, Kelvi tha se është rritur në një familje ku kanë dominuar femrat, ndaj edhe ka qenë djali i përkëdhelur, megjithatë ato e kanë bërë t’i dojë, t’i respektojë dhe t’i dashurojë më fort femrat, të luftojë për to sa herë të mundet, sepse e di se, në thelb, femra është një qenie e brishtë që meriton vëmendje dhe përkushtim maksimal.

Por kush e kishte parashikuar që vëllai i vogël, ai që nuk lë njeri pa ngacmuar e pa e mbytur me fjalë, do të mbetej pa fjalë sapo në ekran të shfaqej e motra, e cila i kishte përgatitur një surprizë enkas për këtë dalje te “Rudina”?

“Jam e bekuar që kam një vëlla si ti, në fakt kam një rreze drite si ti. Unë jam me fat që gjatë gjithë jetës sime, ka qenë një jetë shumë e bukur vetëm falë teje. Të gjithë ata që të njohin, e dinë mirësinë që ti ke, energjinë që ti rrezaton dhe që lexohet edhe në sytë e tu, ndjejnë frymëzim për pasionet, arritjet e tua. Unë uroj që vazhdimisht për ty të hapen dritare të reja komunikimi, në formatet më të mira mediatike ashtu siç edhe ti ke dëshirë. Uroj shumë që ti të vazhdosh të bësh punën që bën, sepse është luks i madh në jetë të bësh atë që do, dhe premtoj që do jem suporti në të gjitha idetë e tua të çmendura, në çdo kohë, dhe do të të mbështes shumë, pa kushte, me dashurinë më të madhe.”

Pas këtij mesazhi nga e motra, Kelvi tha: “Ishte shumë e lezetshme kjo videoja, s’e prisja”, megjithatë u mundua më kot të mos i tregonte emocionet. Për pak e humbi përqëndrimin nga biseda dhe këtë edhe e pranoi… Duke përtypur emocionet, pas pak minutash, e kapi bisedën sërish. Por nuk ia fshehu dot publikut sytë e përlotur dhe mekjen e zërit pas zërit dhe mesazhit emocionues të së motrës.