Transmetuar më 16-01-2019, 08:58

Dalin të tjera detaje lidhur me vrasjen e shqiptarit Albert Bako, në burgun e Koridalos në Athinë, i cili u qëllua me një thikë artizanale, duke bërë që të gjejë vdekjen.

Nën akuzë për vrasjen e tij janë vënë dy të burgosur të tjerë, një shqiptar i moshës 33-vjeçare dhe një 24-vjeçar grek, të cilët këtë të martë janë shoqëruar në polici nën masa të rrepta sigurie.

Ata akuzohen se në bashkëpunim i kanë marrë jetën Bakos. Mësohet se të dyshuarit ndanin të njëjtën qeli burgu me 35-vjeçarin shqiptar, të cilin dyshohet se e vranë gjatë kësaj të hëne.

Nga hetimet e kryera rezulton se ka qenë i ri grek ai që e mbante Albert Bakon, teksa shqiptari i ka ngulur thikën në qafë dhe kraharor.

Nga skena e krimit mendohet se Bako ka tentuar që të vrapojë drejt policëve të burgut, por agresorët e kanë qëlluar pa pushim duke e vrarë.

Albert Bako, njihej edhe si Arbër Bako, i cili prej pak kohësh ishte transferuar nga burgu i Chania drejt atij të Koridalos, pasi pritej të dilte në gjyq.

Ai akuzohej se në vitin 2014 kishte hapur zjarr me armë pranë një bar-kafeje duke lënë të plagosur 14 persona të pafajshëm. Ajo ngjarje ndodhi në Mikroliman dhe atëherë, u tha se Bako hapi zjarr me automatik tip “Kallashnikov” për shkak të një balerine, Rezartës, për të cilën ishte xheloz.

Po ashtu, Bako u akuzua se kishte marrë pjesë në vrasjen në tentativë të avokatit Antonopoulos, e porositur nga biznesmeni Ari Floro.

Mediat greke lidhin vrasjen e shqiptarit edhe me mundësinë që të jetë një hakmarrje pasi disa kohë më parë në qendër të Athinës u ekzekutua me armë zjarri, avokati grek, Mihali Zafiropoulos. /a.y/noa.al