Transmetuar më 16-01-2019, 11:21

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, komenton vonesën e dekretimit të Kryeministrit Edi Rama, në postin e ministrit të Jashtëm, nga Presidenti Ilir Meta.

Duke folur sot nga Elbasani, ai i bëri thirrje kreut të shtetit që ti japë fund ngërçeve të dekreteve, para nisjes së seancës parlamentare të pasdites.

“Të gjithë kandidatët e propozuar nga Kryeministri i plotësojnë kriteret dhe janë profesionistë. Meta nuk mund të sillet si kreu alternativ i opozitës. Shpresoj që Meta të ketë përgjigje brenda orës 17:00”, u shpreh Balla.

Ai kërkoi që Presidenti të bazohet në Kushtetutë.

Me kërkesë të Kryeministrit Edi Rama, Kuvendi mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme, ku do të bëhet votimi i ministrave të rinj të kabinetit qeveritar.

Deri më tani emri i Edi Ramës si ministër i Jashtëm nuk është dekretuar ende nga Presidenti Ilir Meta, duke bërë që të mos përfshihet në votim.

Meta nuk dekretoi Gent Cakaj si ministër të Jashtëm, duke bërë që Kryeministri Edi Rama ta marrë vetë drejtimin e ministrisë së Jashtme. /a.y/noa.al