Transmetuar më 16-01-2019, 13:52

Partia Demokratike hedh akuza të forta, se studentëve po ju bëhet presion nga dekani i fakultetit të Drejtësisë.

Këshilltari Ligjor i PD, Gazment Bardhi tha se Artan Hoxha, dekani i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, “shërbëtor i Edi Ramës dhe pushtetit” brenda botës akademike, ka guxuar të kërcënojë studentët e Fakultetit të Drejtësisë me metoda kriminale.

Sipas tij, faktet e bëra publike në media provojnë sesi shërbëtori i Edi Ramës ushtron presion ndaj studentëve që ata të mbyllin protestën legjitime të tyre për një arsim më cilësor.

“Artan Hoxha ka arsye për t’i shërbyer Edi Ramës, jo vetëm për mbështetjen që ky i fundit i ka dhënë në karrierën e tij profesionale, por mbi të gjitha për paligjshmëritë e së shkuarës. Ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë Artan Hoxha, sot dekan i Fakultetit të Drejtësisë, ende nuk ka dhënë asnjë përgjigje për habinë që shkaktoi përgjigja e tij përpara Parlamentit për dhurimin nga i vëllai të 200 mijë dollarëve, të cilave nuk i dihej burimi”, u shpreh Bardhi.

Ai shtoi se dekani i Juridikut nuk ka dhënë ende përgjigje për pasurinë e tij të paligjshme, sesi brenda pak kohësh, me kursime familjare, arriti të blinte një apartament me sipërfaqe 120 m2 në Tiranë, një apartament tjetër në plazhin e Golemit në Kavajë dhe një sipërfaqe toke 700 metër katrorë në zonën turistike të Qerretit në Kavajë.

Në këtë linjë deklaroi se e gjithë karriera e tij dhe pasuria e paligjshme që ka krijuar, janë arsye e vërtetë sipas tij, se përse Artan Hoxha, kërcënon studentët e tij, që kërkojnë jo vetëm një arsim cilësor dhe uljen e tarifave të studimit nga Qeveria, por edhe largimin nga bota akademike të pedagogëve të korruptuar dhe veting ndaj stafit akademik.

Bardhi shtoi më tej se Artan Hoxha dhe çdo pedagog i korruptuar që rreshtohet sot në krah të Edi Ramës dhe kundër studentëve, duhet të ketë të qartë se nuk ka shërbim ndaj pushtetit që i shpëton ato nga paligjshmëria.

Në emër të PD, ai kërkoi dënimin e aktit të dekanit, duke iu bërë thirrje pedagogëve të ndershëm dhe me integritet brenda këtij Fakulteti të dënojnë aktin “prej banditi” të Artan Hoxhës dhe të rreshtohen në krah të studentëve. /a.y/noa.al