Transmetuar më 16-01-2019, 17:45

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pasi doli nga seanca e jashtëzakonshme ku u votuan dekretet e Presidentit për ministrat, tha se kush i shërben qëndrimit të Edi Ramës si kryeministër është tradhtar i vendit.

Z.Basha i bëri thirrje qytetarëve për të rrëzuar Ramën: “Hajduti psikik i dha sot dërrmën e fundit Kuvendit. Nuk mund të vazhdojë më kjo gjendje. Shqipëria nuk mund ta durojë më këtë gjendje. Ndaj detyra jonë është të jemi në krahë të këtyre njerëzve. Çdo ditë me Ramën kryeministër është ditë krize. Çdokush që i shërben me vetëdije apo vetëdije vazhdimit për çdo ditë të vetme të qëndrimit të Ramës kryeministër është tradhtar. Ne si opozitë duhet të mobilizohemi me të gjitha resurset. Thirrje çdo shqiptari të ndershëm për të rrëzuar me çdo kusht shkaktarin e kësaj emergjence”, deklaroi Basha.

Edhe kryetara e LSI-së, Monika Krfyemadhi foli me tone të ashpra, duke bërë dhe një paralajmërim të fortë sot para gazetarëve. Ajo tha se opozita nuk do të jetë më zjarrfikëse për të shuar protestat, por se nga nesër do të vihet në ballë të këtyre protestave.

“Shumë shpejt do të mblidhemi dhe do kemi axhendën. nuk është çështje bojkoti se nuk ke çfarë të bojkotosh. Opozita është bashkë. Do njiheni shumë shpejt jo vetëm me axhendën por dhe me grupet e strukturat. S’ka nevojë më për protesta masive. Ke me qindra studentë, familje, minatorë, naftëtarë. Opozita nuk do të jetë më zjarrfikëse dhe të fikë më zjarrin e protestës por do të vihet në krye të protestave. Çdo njeri që i jep oksigjen këtij hajduti psikik është tradhtar”, tha Kryemadhi.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla nga jashtë ambienteve të Kuvendit komentoi vendimin e opozitës për të braktisur sallën. Ai theksoi se kërkesa e kolegëve të tij të PD dhe të LSI-së për debat duhej të ishte bërë me mocion. Mes të tjerash ai theksoi se debati duhet të bëhej sipas rregullores.

Po ashtu socialisti u ndal edhe tek kandidatura e Gent Cakajt, për postin e ministrit të Jashtëm.

Sipas Ballës, Rama do të jetë në këtë post përkohësisht, deri në zgjidhjen e ngërçit sipas tij artificial, të krijuar nga presidenti Ilir Meta, duke ripropozuar kështu emrin e Cakajt.

“Në hapësirën mes dy sesioneve parlamentare, kryeministri e ushtroi këtë të drejtë kushtetuese për të mos humbur më kohë. Është shumë e rëndësishme në këtë kontekst dhe neve në vjen keq që Presidenti nuk na bëri të mundur votimin e dekretit të ministrit të Jashtëm,Gent Cakaj, i cili meriton besimin tonë. Sapo Gjykata Kushteuese të zgjidhë këtë ngërç të shkaktuar nga presidenti do kemi mundësinë ta kemi Gent Cakaj në kabinetin tonë. Ndaj edhe kryeministri propozoi të jetë ministër i Jashtëm derisa të zgjidhet ngërçi artificial. Presidentit Meta në një tjetër legjislaturë i është besuar detyra e zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm”, tha Balla./b.l/noa.al/