Transmetuar më 16-01-2019, 20:20

Ajo është një ndër këngëtaret shqiptare me karrierë mjaft të gjatë.

Me një zë të bukur, energjike, e me një buzëqeshje të ëmbël, Eneda Tarifa ka ditur gjithmonë të jetë afër publikut dhe të meritojë duartroktitjet e tij.

Sot këngëtarja ishte e ftuar në emisionin “Rudina” për të treguar më shumë rreth projektit të saj më të fundit muzikor. “Nuk ia vlen” titullohet kënga më e re e Tarifës. Ajo tregoi se kënga është shkruar nga Fifi dhe se fabula e saj është dashuria dhe forca për të kaluar në një fazë tjetër.

“Unë kam rreth një vit e gjysmë që punoj me një grup fantastik muzikantësh, të cilët shpeshherë krijojnë dhe kompozojnë. Pjesë e grupit është edhe Fifi, e cila kishte punuar përpara 2 vitesh një këngë me kitaristin e grupit. E dëgjova, më pëlqeu menjëherë sepse na përfshinë të gjithëve.

Është një këngë e ndjerë dashurie. Fabula është dashuria dhe forca për të kaluar në një fazë tjetër. Tekstin e ka bërë Fifi dhe nuk ka të bëjë me mua, nuk është personal. Është baladë, e cila është punuar dhe kënduar ndryshe nga unë.

“Nuk ia vlen” është këngë që më përfaqëson, nuk është devijim. Xhirimet e klipit kanë zgjatur 5 ditë. Kam bërë rrugë të gjata dhe është e vështirë të ecësh bukur kur ke gurë përpara”, tha këngëtarja.