Transmetuar më 17-01-2019, 08:52
Klement Balili

Klement Balili, i etiketuar si “Eskobari i Ballkanit” do të dalë ditën e sotme para Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku do të bëhet rivlerësimi i masës së sigurisë dhe do ti komunikohen akuzat.

Vlerësimi i masës së sigurisë u bë nga gjyqtarja Miljana Muça, e cila u zgjodh ditën e djeshme nga hedhja e shortit.

Janë katër akuzat që pritet ti komunikohen ditën e sotme Balilit, ku më tej pas vendosjes së masës së sigurisë e cila pritet të jetë “arrest me burg”, “Eskobari i Ballkanit” do të transferohet në ambientet e paraburgimit.

Aktualisht Balili ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku mësohet se gjatë ditës së djeshme, e mërkurë, pati një takim edhe me familjarët.

Klement Balili u vetëdorëzua këtë të martë në polici, pas negociatave që zgjasnin prej tre muajsh.

Ai u dorëzua nën ndërmjetësimin e drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në fshatin Stjart të Delvinës.

Akuzat e ngritura ndaj Balilit janë “Trafikim i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive” si dhe “Pastrim parash”. /a.y/noa.al