Transmetuar më 17-01-2019, 14:46
Klement Balili ne gjykate, foto arkiv

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë për Klement Balilin, i vetëdorëzuari në polici gjatë së martës, pas dy vitesh që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge.

“Arrest me burg” ishte masa e sigurisë e rivlerësuar ndaj tij, duke bërë që Balili të qëndrojë në qeli në vijim të hetimeve.

Avokati i Balilit, Theodhori Sollaku, tha në dalje të gjykatës se, “Nuk ka asnjë provë direkte, indirekte apo indicie që Klement Balili të jetë i përfshirë në trafikimin e 600 kilogramë lëndë narkotike”.

Vendimi ndaj Balilit u dha nga gjyqtarja Miljana Muça, pas kërkesës së prokurorit Ened Nakuçi.

Klement Balili u vetëdorëzua këtë të martë në polici, nën ndërmjetësimin e drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në fshatin Stjart të Delvinës.

Akuzat e ngritura ndaj Balilit janë “Trafikim i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive” si dhe “Pastrim parash”. /a.y/noa.al

Balili del para gjykatës me dy avokatë, pohimi i parë i tij

Rivlerësimi i masës së sigurisë, Balili dërgohet te Krimet e Rënda