Transmetuar më 18-01-2019, 11:44

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, ka komentuar dekretimin e Kryeministrit Edi Rama, si ministër të Jashtëm nga ana e Presidentit Ilir Meta, pas refuzimit të propozimit të parë të Gent Cakaj, si kryediplomat.

Ai citoi Kushtetutën, duke thënë se neni 1 i saj hapet me fjalinë “Shqipëria është Republikë parlamentare do të thotë nga Presidenti, Kryeministri dhe institucionet emërohen e shkarkohen nga parlamenti”.

Ai shtoi se shumëkush e ka trajtuar ka të drejtë Presidenti nuk ka të drejtë, por ai tha se merret me Kushtetutën.

“Neni 93 thotë Presidenti nxjerr dekrete. Edhe kur jep apo nuk e jep pëlqimin duhet të nxjerrë dekret, se është kompetencë e Kuvendi të shprehet. Kryeministri bën propozimin, Presidenti jep pëlqimin, parlamenti nxjerr vendimin. T’i lemë këto, le të presim ditën e orën që Gjykata Kushtetuese të ngrihet dhe lidhur me ketë interpretim të shprehet ajo dhe të heshtin të gjithë”, u shpreh Ruçi.

Lidhur me kthimin e ligjeve për rishqyrtim në Kuvend, nga ana e Presidentit, i pyetur nëse ka ndonjë problem me to apo problemi qëndron te kreu i shtetit, ai tha se ka pritur që Ilir Meta të respektojë Kushtetutën.

“Për kthimin e ligjeve është në kompetencën e tij. Rishqyrtimi do të bëhet në komisionet parlamentare, të cilat nuk janë hapur ende, ndaj nuk kam përgjigje të them”, deklaroi kryeparlamentari.

Sa i takon votimit të Metës si President, ai tha se, “Nuk jam pishman për votën që jap dhe për qëndrimet që jap. Nuk kam pritur që Presidenti i republikës, kushdo që të ishte edhe zoti Meta,  të operojë gjatë përmbushjes së detyrës sipas orekseve politikë apo partiake të asnjë pale. Kam pritur dhe pres që zoti Meta të zbatojë Kushtetutën dhe vetëm kaq”.

Pyetjes lidhur me ministrat e rinj, për të cilët gazetarët i thanë se nuk janë anëtarë të Partisë Socialiste, ai deklaroi se ka ikur koha e partisë-shtet.

“Sistemi që lamë pas ishte sistemi i partisë-shtet. Sistemi që jemi është sistemi i partisë në pushtet, kjo s’do të thotë që kur është kjo parti në pushtet, s’do të thotë që të jenë anëtarët e forumeve në pushtet. Çdo parti që vjen në pushtet, nuk vjen vetëm me votat e anëtarësisë së vet, por i duhen mbi 700 mijë vota”, u shpreh Ruçi.

Ai tha se motoja e PS ka qenë bashkëqeverisje me qytetaret, kështu që është brenda filozofisë së saj kjo zgjedhje. /a.y/noa.al