Transmetuar më 18-01-2019, 12:21

Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka dhënë ditën e sotme pretencën për të pandehurit lidhur me grabitjen e makinave të blinduara me para në afërsi të Rinasit.

Organi i akuzës ka kërkuar dënimin me 24 vite të Aleksandër Murataj, 20 vite burg të Dash Kupës, me 20 të Neim Avdylit, me 19 vite e 8 muaj të Ernest Kupës, me 16 të Fatjon Xhyliut, me 16 të Dritan Sinanit, me 5 vite e 8 muaj të Ditjon Memlikës dhe me 5 vite e 8 muaj të Admir Cerpjas.

Sakaq në kërkim vijon të jetë ende Admir Murataj. Ata akuzohen si të përfshirë në dy grabitjet e bujshme të makinave me para, në vitin 2015 dhe 2017.

Episodi i parë i vjedhjes, grabitja ne Qafë Kashar në 3 dhjetor 2015. Mekanizmi i ngjarjes rezulton të ketë qenë i tillë që: mjeteve të shoqërisë private të ruajtjes dhe sigurisë u është prerë rruga nga një automjet i llojit fuoristradë, i cili është futur nga kryqëzimi i rrugës së fshatit Domje-Laknas në rrugën kryesore, ku në atë moment po kalonin mjetet me sasinë e të hollave.

Si rezultat i veprimit të autorëve mbi mjetin e blinduar duke e goditur me automjetin e tyre, dhe duke qëlluar me armë për të kanosur punonjësit e shoqërimit të këtij mjeti, kanë arritur të vjedhin të gjithë sasinë e vlerës monetare që po transportohej.

Nga shpjegimet e dhëna nga punonjësit e bankës dhe aktet e sekuestruara rezulton se shuma objekt vjedhje përbëhej nga GPB-1.800.000, USD-800.000, AUD 200.000, CAD-200.000.

Episodi i dytë i vjedhjes, grabitja ne Rinas më 9 shkurt 2017: Pasi makinat e blinduara janë futur në rrugën e Rinasit, në mes të makinave të blinduara është futur një automjet fuoristradë, i cili fillimisht i ka bllokuar rrugën makinës shoqëruese dhe më pas ka dalë mbrapa saj.

Në këtë kohë nga një rrugë dytësore ka dalë një automjet tjetër, fuoristradë, i cili e ka goditur makinën e blinduar duke e ndaluar atë.

Në këtë moment nga ky automjet kanë dalë disa persona të maskuar dhe armatosur, të cilët kanë qëlluar në drejtim të makinës së blinduar. Në të njëjtën kohë nga dy persona të armatosur është sulmuar edhe makina e shoqërimit të automjetit të blinduar.

Nga automjeti fuoristradë që ka përplasur makinën e blinduar kanë dalë dy persona, të cilët mbanin në duar çekiç dhe kanë goditur xhamin e parë të makinës.

Pasi nuk është bërë e mundur thyerja e xhamit, autorët kanë goditur xhamin e derës së shoferit, duke e thyer atë dhe më pas nën kërcënimin e armëve kanë zbritur në tokë dy punonjësit e SHPSF-së dhe kanë filluar që të kërkojnë çelësat e kasafortës.

Në të njëjtën kohë dy nga autorët e tjerë kanë arritur të neutralizojnë tre punonjësit e tjerë të SHPSF-së që ndodheshin në makinën shoqëruese. Pasi autorët nuk kanë arritur të gjejnë çelësin e kasafortës, me anë të një guri freksibël, të cilin e kishin në makinën e tyre, kanë thyer kasafortën dukë marrë nga aty 8 (tetë) thasë me vlera monetare dhe më pas janë larguar në drejtim të urës së Sharkës, në zonën e Vorës.

Aty, kanë braktisur makinat dhe ju kanë vënë flakën automjetit tip Jeep Gran Sheroke dhe tip Chevrolet dhe janë larguar në drejtim të paditur me një makinë të tretë.

Nga deklarimet e dhëna nga punonjësit e bankës shuma e cila është dërguar për shitje jashtë shtetit, dhe që ishte e vendosur në tetë thasët brenda në furgonin e transportit për në Rinas ka rezultuar të jetë: 2.4 milionë euro, 200 mijë dollarë amerikanë, 260.000 paund britanikë etj. /a.y/noa.al