Transmetuar më 28-01-2019, 13:03

Shkrimtari Ismail Kadare feston sot 83-vjetorin e lindjes dhe me këtë rast ka nisur puna për ta kthyer shtëpinë e tij në një muze, për t’u vizituar nga qytetarët e Tiranës dhe turistët që vizitojnë kryeqytetin.

Pas vendimit të Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me arkitekten e njohur Elisabetta Terragni, kanë nisur punën për kthimin në muze të shtëpisë së shkrimtarit të madh shqiptar në “Rrugën e Dibrës”, e cila në të ardhmen do të jetë një destinacion turistik jo vetëm për të pasionuarit pas veprave të Kadaresë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi këtë nismë një eksperiencë krejt të veçantë.

“Jam shumë i lumtur që me rastin e ditëlindjes së të madhit Ismail Kadare kemi nisur punën në atë që nuk është vetëm një shtëpi muze, por është një eksperiencë në zemër të Tiranës, në një pallat i cili mbart shumë histori; një pallat që çoi Maks Velon për vite të tëra në burg, një pallat ku me Kadarenë ka qenë komshi edhe shkrimtari Dritëro Agolli”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se falë kësaj ndërhyrje, do të dalë në pah, i transformuar, një tjetër xhevahir i mbuluar nga pluhuri.

Veliaj falenderoi shkrimtarin Ismail Kadare dhe bashkëshorten e tij, Helenan, për bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës.

Arkitektja e italiane, Elisabetta Terragni, e cilësoi këtë projekt tepër të rëndësishëm për gjeneratën e re, por gjithashtu edhe për Shqipërinë. /a.y/noa.al