Transmetuar më 26-08-2019, 15:15

Anija nga Katari, e cila po viziton brigjet e Mesdheut  për të promovuar finalet e Kampionatin Botëror që do të mbahet në Katar, në vitin 2022, është ndalur edhe në Shqipëri.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë ndalimit të anijes, ka pritur ekuipazhin e kësaj anijeje.  Ai vlerësoi  përpjekjen e Katarit, që tenton të sjellë atmosferën e Kampionatit Botëror të futbollit.

“Jam shumë i nderuar që mikpritëm ekuipazhin, i cili ka muaj të tërë që me një anije me vela mundohet të promovojë mesazhin se sporti, kultura, muzika, arti i bashkon kombet”, theksoi Veliaj.

“Në një botë ku flitet kaq shumë për përçarje, kemi shumë nevojë të flasim për bashkëpunim, vëllazëri dhe bashkim. Ne jemi i vetmi qytet ku ata kanë ardhur, që nuk jemi port, nuk kemi det. Falë këmbënguljes së ambasadorit, kemi sot një nga skuadrat më unike që promovon kampionatin e botërorit “Katar 2022”. Tirana është një qytet i hapur, ju mirëpresim krahëhapur, me zemër të hapur dhe me mendje të hapur”, shtoi Veliaj, në pritjen e miqve nga Katari.

Më tej Veliaj tha se sporti jo vetëm bën që të kemi një trup më të shëndetshëm, por mbi të gjitha, për t’i mësuar të rinjve si të luajnë dhe punojnë në skuadër, të dinë të pranojnë si fitoren, edhe humbjen.

“Jo të gjithë, vetëm disa nga ata që merren me sport bëhen kampionë dhe luajnë në Champions League; 99% e të tjerëve kanë nevojë të luajnë në skuadër, të mësojmë si humbasim dhe si fitojmë. Jeta i ka të dyja.”

“Të mësojmë se si gjërat bëhen më bashkë kur bëhen në grup, në skuadër, kur i pasojmë njëri-tjetrit, kur i japim dorën njëri-tjetrit. Kjo është fryma që na vjen nga ekipi ynë dhe skuadra e anijes nga Doha, për të promovuar lojërat dhe kampionatin botëror të futbollit”, shtoi kryebashkiaku, duke falenderuar ambasadorin e Katarit në vendin tonë, Ali bin Hamad Al-Marri, për bashkëpunimin që ka treguar në zbatimin e një sërë projektesh në Tiranë.

Kampionati Botëror në vendin e vogël të Katarit, do të mbahen në vitin 2022 dhe është hera e parë që një vend arab organizon eventin më të lakmueshëm dhe më të ndjekur në planet./a.m/noa.al