Transmetuar më 03-10-2019, 18:28

Google është angazhuar në një iniciativë të Shtëpisë së Bardhë, për t’iu krijuar mundësi iniciativave private që të zgjerojnë trajnimet e tyre për punëtorët amerikanë.

Presidenti i SHBA bëri publik lajmin, si një prej premtimeve të tij. Por ajo që veçohet nga kjo nismë është se bizneset në vendin më të zhvilluar të botës janë ankuar se ka me mijëra vende të lira pune, por shumë nga të rinjtë nuk kanë aftësi.

Është po aq e njohur edhe thirrja e kryeministrit shqiptar disa kohë më parë, "vende të lira pune ka, por nuk ka profesionistë", që duket se është e huazuar nga SHBA.

Shefi i gjigantit të kërkimit në Internet, Google, Sundar Pichai e bëri prezantimin e nismës së re të enjten në Shtëpinë e Bardhë, ku u prit nga Ivanka Trump.

Ivanka Trump, vajza e Presidentit Donald Trump, është ngarkuar që të mbikëqyrë përpjekjet e trajnimit të punonjësve të administratës.

Google tha se po zgjeron gjithashtu një program të zhvilluar për të trajnuar njerëzit, që nuk kanë përvojë ose një diplomë kolegji në mbështetje të teknologjisë së informacionit të vendeve të hyrjes në më pak se gjashtë muaj.

"Ne e dimë që për të qenë konkurrues në botë, duhet të investojmë në pasurinë më të madhe të Amerikës, punëtorët tanë dhe të ndihmojmë në plotësimin e fushave të reja të IT", tha Ivanka Trump.

"Premtimi i Google për të trajnuar 250,000 amerikanë në teknologjinë e së ardhmes, na ndihmon të arrijmë misionin tonë," theksoi ajo.

Vitin e kaluar, Presidenti Trump krijoi Këshillin Kombëtar për Punëtorët Amerikanë, si dhe Bordin Këshillëdhënës për Politikat e Fuqisë Punëtore Amerikane.

Bordi është i përbërë nga bizneset, arsimi dhe drejtuesit e tjerë, të cilëve iu kërkuan të bënin rekomandime për të ngritur një strategji kombëtare të fuqisë punëtore.

Presidenti gjithashtu u bëri thirrje bizneseve amerikane që të angazhohen për zgjerimin e programeve të arsimit dhe aftësimit të tyre.

Deri më tani, më shumë se 350 ndërmarrje janë angazhuar për të trajnuar dhe rikualifikuar më shumë se 14 milion studentë dhe punëtorë që kur Trump e prezantoi platformën në korrik 2018.

Qëllimi është të rritet numri i punëtorëve të aftë në një kohë kur shumë biznese po përpiqen të gjejnë njerëz të kualifikuar.

Më shumë se 7 milion vende pune ekzistojnë në Sh.B.A, sipas një raporti të Shtatorit nga Byroja Federale e Statistikave të Punës.

Google fillimisht e nënshkroi premtimin përmes Shoqatës së Internetit, e cila lobon në emër të industrisë. Por gjigandi i teknologjisë tha se vendosi të forcojë angazhimin e tij pasi pretendon të zhvillojë më shumë programe.