Transmetuar më 14-10-2019, 15:43

Sot ishte dita e parë e shkollës për mijëra studentë.

Ishte një ditë edhe më e veçantë për të gjithë ata që ulen për herë të parë në auditoret e Universitetit Publik.

Por më të veçantë këtë ditë për të gjithë studentët e bën shembulli i një vajze nga Shkodra.

Dëshira dhe këmbëngulja për të realizuar ëndrrat, thyen çdo barrierë dhe vështirësi.

Fatjona Nikaj, pavarësisht se është në karrocë me rrota, vijon të ndjekë studimet universitare, madje me rezultate të mira.

Sigurisht, arsimimi i saj nuk ishte i lehtë, sepse vajza shkodrane rrezikoi të mos ndiqte as shkollën e mesme.

Në fillim  ishte vetëm shkolla e mesme “Shejnaze Juka”, e cila e pranoi atë, pasi gjimnazet e tjera e refuzuan ndërsa sot, ajo vazhdon vitin e dytë në degën e gjermanishtes pranë universitetit “Luigj Gurakuqi”.

Fatjona është një shembull pozitiv dhe frymëzim jo vetëm për studentët por edhe për stafin akademik të universitetit, dhe gjithë shoqërinë shqiptare.

Për të ndihmuar studenten, drejtuesit e fakultetit kanë zhvendosur klasën e gjermanishtes, nga kati i tretë në atë të parin. Fatjona është ndoshta shembulli se çfarë domethënie ka të studiosh, për një të ardhme më të mirë./NOA.al