Transmetuar më 13-11-2019, 16:54

Babai i dy fëmijëve ndërroi jetë në spitalin e Korçës ku po trajtohej prej dy ditësh.

Por familjarët e tij kanë ngritur akuza për neglizhencë ndaj mjekëve, ndërsa spitali thotë se për reagimin duhet pritet ekspertiza mjekoligjore.

Vdekja e 58-vjeçarit Telka Kelo, nga Pojani, në spitalin e Korçës ka vënë nën akuzë për neglizhencë bluzat e bardha.

I shtruar në spital dy ditë më parë, familjarët e  58-vjeçarit thanë se ai ishte ankuar për dhimbje barku e koke, por spitali pas analizave doli në përfundimin se kishte gur në tëmth.

Spitali i Korçës thotë se gjendja e tij është përkeqësuar mëngjesin e sotëm dhe pas dy orëve në Reanimacion, ai ndërroi jetë.

Familjarët pretendojnë se kanë kërkuar dërgimin e 58-vjeçarit në Tiranë për mjekim të specializuar, por sipas tyre mjekët e spitalit të Korçës, nuk e kanë parë si të paarsyeshme këtë lëvizje.

Nga ana tjetër spitali rajonal Korçë, thotë se pacientit i është dhënë ndihma maksimale nga personeli i spitalit sipas protokolleve.

Në pritje të ekspertizës që do të kryhet nga një ekspert nga Tirana, edhe prokuroria e Korçës thotë se ka nisur një hetim për shkakun dhe rrethanat e vdekjes së 58-vjeçarit Telka Kelo./NOA.al