Transmetuar më 15-11-2019, 13:59
Amarilda Leka

Një operacion i Policisë së Tiranës dhe Prokurorisë i koduar “Bënça” çoi në arrestimin e një gruaje për veprën penale “Mashtrim me pasoja të rënda”.

Nga hetimet e kryera nga policia prej një viti, u bë arrestimi i Amarilda Leka, 36 vjeçe, lindur në Përmet dhe banuese në Tiranë.

Kjo pasi më 13 nëntor Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me Burg”.

Pas gati një vit hetimesh proaktive u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i veprimtarisë kriminale të ushtruar nga e dyshuara.

33-vjeçarja e arrestuar këtë të enjte, akuzohet ka mashtruar shtetasin B. Z., me banim në Tepelenë, duke i marrë 50 000 euro, me pretendimin se ishte juriste pranë Gjykatës së Lartë Tiranë dhe me njohjet që ajo kishte do të ndikonte pranë trupës gjykuese në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë dhe në Gjykatën e Lartë.

Gjithçka për të nxjerrë nga burgu shtetasin A. M., i dënuar me 30 vjet heqje lirie, për një vrasje në rrethana rënduese që kishte kryer në Memaliaj, në vitin 2015, i cili është duke vuajtur dënimin në burgun e Bënçës, në Tepelenë.

Hetimet ndaj Lekës janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për ndjekje të mëtejshme. /a.y/noa.al/