Transmetuar më 04-12-2019, 17:24

Tregu i shitje-blerjes së banesave në Shqipëri aktualisht është pezulluar. Ekspertët imobiliar shpjegojnë se kjo situatë ka ardhur pas tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit ku u shkatërruan me qindra pallate. Tashmë edhe ata qytetarë që kishin në plan të blinin një apartament  duket se kanë ndërprerë procedurat përkohësisht.

Lefter Sila: Për ndryshim të çmimeve në këto momente nuk mund të flasim, pasi ka rënë kërkesa për të blerë, ka një stopim të tregut. Duhet të kalojnë 3-5 muaj për të parë se çfarë tendence do të ketë tregu imobilar.

Eksperti Lefter Sila deklaron se qytetarët tashmë po kërkojnë shtëpi të vogla me qira ose pallate me pak kate. Ndërkohë ata që kanë më shumë mundësi ekonomike po blejnë vila private

Lefter Sila: Vëmë re se është shtuar shumë kërkesa për qira në zona të sigurta. Shumë njerëz nga Durrësi kërkojnë të vijnë në Tiranë.

Ajo që më bën përshtypje është se duan në pallate të vogla, jo në pallate të mëdha. Një tjetër kërkesë është të marrin vila, sepse vila konsiderohet më e qëndrueshme.

Ndërkohë përsa i përket çmimit të shitjes ekspertët shprehen se tashmë është ende herët për të parë efektet konkrete dhe do të duhen disa muaj para se të ndjehen. /Ora/