Transmetuar më 10-12-2019, 10:45

Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka pasur një takim me homologun e tij grek, Nikos Dendias.

Takimi është mbajtur në Bruksel, ndërsa sipas Cakajt me Ministrin e Jashtëm grek është diskutuar përmbushja e objektivave të përcaktuara nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme në qershor 2018.

“Gjatë qëndrimit në Bruksel zhvillova edhe një bisedë me Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias. Biseduam për ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në Shqipëri, me theks të veçantë në përmbushjen e objektivave të përcaktuara nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme në qershor 2018 – për të mundësuar çeljen e bisedimeve për anëtarësim në BE pas miratimit të metodologjisë së re të negociimit”, shkruan Cakaj në Facebook.

Po ashtu, mes Cakajt dhe ministrit grek të Jashtëm janë diskutuar një varg veprimesh të përbashkëta në funksion të riparimit e rindërtimit të hapësirave të dëmtuara nga tërmeti.

“Një mirënjohje e veçantë për mbështetjen e pakursyer për Shqipërinë që prej orëve të para të pas termetit e deri tani që po vazhdon me përkushtim të fortë dhe rezultate konkrete.”,-shton ai./b.l/noa.al/